Afrim Gashi takon Kurtin e Konjufcën: Takim frytdhënës për kombin tonë

Kryetari i Alternativës Afrim Gashi, bashkë me sekretarin e përgjithshëm Zeqirija Ibrahimi dhe nënkryetarin Admirin Aliti, takuan sot kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca.

Siç njofton Alternativa, në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Me këtë rast patëm mundësi të bashkëbisedojmë për gjendjen e gjithmbarshme shqiptare, për zhvillimet e reja në procesin e shtetndërtimit të Kosovës, ndërsa ne përfituam nga rasti që Kryeministrin Kurti ta njoftojmë edhe me zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në njoftimin e Alternativës.

Ata e vlerësojnë takimin të frytshëm për kombin dhe dy vendet tona.

“Që nga historia, letërsia, filozofia e demografia, e deri te politika, ekonomia e integrimi, diskutimet me kryeministrin Kurti dhe kryeparlamentarin Konjufca jo vetëm që janë të këndshme e të thella, por njëherazi edhe frytdhënëse e në dobi të dy vendeve tona dhe të kombit tonë”, njofton Alternativa.

Takimi u zhvillua në kuadër të vizitës së delegacionit të Alternativës në Reçak për homazhe në 24-vjetorin e masakrës së Reçakut.