Afrim Gashi shpërndau fotografi teksa mërgimtarët presin në kufij: Poshtëruese

Lideri i Alternativës, Afrim Gashi ka shpërndarë një fotografi në profilin e tij në “Facebook”, teksa shihen se si mërgimtarë të shumtë presin në kufij.
Nuk tregon se ku dhe kur është shkrepur fotografia, megjithatë shihet se në radhë presin vetura me targa të shteteve të huaja.

“Pritja e gjatë, e lodhshme dhe poshtëruese e mërgimtarëve në kufi është pasqyra më reale se si ky shtet, bashkë me shqiptarët e këtij pushteti, i percepton mërgimtarët. Ata po kthehen në vatrat e tyre, në familjet e tyre dhe, madje, sigurisht ata janë një injeksion i mirë për ekonominë e dergjur të vendit. Andaj është e patolerueshme kjo “pritje” që u bëhet. Prandaj kërkoj nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe të gjitha institucionet e tjera të shtetit që sa më shpejt të reagojnë dhe të mos lejojnë që mërgimtarët tanë të dashur të ndjehen të fyer e të poshtëruar. Të dashur mërgimtarë, pavarësisht kësaj, ju jeni pjesa më e devotshme e kombit tonë dhe ne gjithnjë ju detyrohemi juve dhe do të mburremi me ju. Mirë se vini në vatrat tuaja”, thuhet në shkrimin bashkëngjitur fotografisë.