Afrim Gashi: Racizmi fatkeqësisht po manifestohet në Shkup

“Lexova një postim të akad. Katica Qulafkovës dhe u tmerrova. Për fat të keq racizmi nuk manifestohet vetëm përtej Atlantikut. Atë e kemi midis Shkupit dhe, madje, në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të shtetit tonë.

Të aludosh se shqiptarët janë fajtorë për vdekjen e “racës së dalluar maqedonase” (Цената на соживотот ја плаќаме со животот – çmimin e bashkëjetesës e paguajmë me çmimin e jetës), kjo është hiç më pak se substituim i thirrjes fashizoide për zhdukje të racës që i shkakton fatkeqësi “racës së zgjedhur”.

Shpresoj që elita intelektuale maqedonase të mos e mbështesë këtë thirrje dhe pres që njerëzit e esëllt dhe të ndërgjegjshëm ta gjykojnë këtë gjuhë të urrejtjes dhe racizmit.

Sidoqoftë, unë vazhdoj të besoj se Maqedonia e Veriut është shteti i përbashkët i të gjithë atyre që jetojnë këtu dhe që shpresojnë ta bëjnë arenë për garë kulturore ndërmjet kombeve të ndryshme që e ndajnë këtë hapësirë gjeografike dhe politike”, ka shkruar kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.