Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Afrim Gashi është përgjigjur pas akuzave të përcjella nga një intervistë që kishte dhënë për televizionin shtetëror të Kosovës.
Në vazhdim deklarata e tij integrale me shkrim.
“Kur flasim per temën e atdheut, unë jam në dijeni për akuzat dhe deformimet nga media të ndryshme, të cilat përpiqen që ashtu ta tërheqin vëmendjen. Si kryetar i Kuvendit të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, dua të sqaroj se Afrim Gashi ka lindur në Shkup, këtu jeton dhe punon me familjen e tij dhe vendlindja e tij është Maqedonia e Veriut.
Për shkak të opinionit po shpjegoj se deklarata e saktë në intervistën time ishte se “Kosova është vendlindja ose atdheu i prindërve të mi dhe, si të tillë, unë e respektoj për hir të tyre”.
Megjithatë, besoj se ne e kuptojmë njëri-tjetrin aq mirë, sa të mos kërkojmë shpjegime të hollësishme të nocioneve si vendlindja, atdheu ose mëmëdheu, pasi shqipja përdor edhe një emër të përbërë që ndërtohet nga fjalët mëmë e dhe. Për mua gjëja më e rëndësishme është që me veprat tona të tregojmë se si e shohim ne vendin tonë, cili është përkushtimi ynë ndaj tij, cili është kontributi ynë dhe cili është dallimi mes atyre që e ndërtojnë dhe e pasurojnë atë dhe atyre që e shkatërrojnë dhe e vjedhin atë. Pohimet dhe deklaratat patriotike nuk u sjellin dobi qytetarëve dhe ne nuk jemi këtu për të garuar se kush është më patrioti. Mua nuk më pëlqejnë debatet e tilla dhe kjo është hera e fundit që unë deklarohem për këtë temë”, ka shkruar kryetari i Kuvendit Gashi.