Afrim Gashi: Integrimi në BE nuk ka alternativë, prioritet lufta kundër korrupsionit

Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, gjatë shpalosjes së emri të koalicionit, tha se kanë vendosur për emrin “Lidhja Europiane për Ndryshim”, për shkak se me këtë dëshirojnë t;i qartësojnë të gjitha dilemat e mundshme, që duan, tha ai, tua imponojnë gojëligët.

“Ky koalicion i bashkuar shqiptar mbetet i palëkundur në angazhimin e tij për integrimin e shpejtë të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Ne nuk kemi ndërmend të bëjmë kompromis me këtë. Siç e kemi thënë shpesh, vetëm integrimi në BE nuk ka alternativë. Por, kur jemi këtu, më duhet të theksoj se për ne prioritet kryesor është lufta kundër korrupsionit. Dallimi mes nesh dhe të tjerëve është se ne insistojmë fuqishëm për mosvjetrimin e lëndëve të korrupsionit politik, ndërsa ata luftojnë për amnisti dhe për lirimin me çdo kusht të kriminelëve”, tha kryetari i AAA-së, Afrim Gashi.
Ai tha se shqiptarët janë një popull krenar dhe ne i donë më shumë se gjithkush vatrat e veta dhe kujdeset për identitetin.
“Prandaj është koha e fundit që formulimet fyese kushtetuese për gjuhën shqipe t’i mbeten të kaluarës. Vërtet është e rëndësishme të përmbushet detyrimi për përfshirjen e bullgarëve në kushtetutë, por po aq e rëndësishme është edhe krenaria e shqiptarëve. Shqiptarët meritojnë të hyjnë në procesin e anëtarësimit të plotë të Maqedonisë së Veriut në BE me kokën lart dhe jo duke qenë të poshtëruar e të fyer”, deklaroi Gashi.