Afganët në Shëngjin: ‘Shkojmë në plazh, shohim vajza gjysmë të zhveshura, kjo është parajsa’

Mbërritja në Shqipëri e një pjese të civilëve afganë të larguar nga frika e hakmarrjes talibane po tërheq vëmendje e mediave ndërkombëtare. Gazeta prestigjioze amerikane “The New York Times” i ka dedikuar jetës së tyre të re në Shqipëri një reportazh të gjatë. Reportazhi duke paraqitur situatën e përgjithshme, fokusohet veçanërisht te strategjia e strehimit të refugjatëve në resortet verore në brigjet e Adriatikut, duke i cilësuar si “kampet e refugjatëve më luksozë dhe të çuditshëm në botë”, të çuditshëm më së shumti nga fakti që Shqipëria mbetet ende, sipas autorit, “një nga vendet më të varfra në Europë”.Reportazhi nënvizon gjithsesi që “fatura e refugjatëve paguhet kryesisht nga organizata si National Endowment for Democracy, fondacioni Yalda Hakim, por edhe fondacioni Soros”.

Gazeta amerikane ndjek në veçanti fatin e refugjatëve të strehuar në resortet e Shëngjinit, ku burra e gra afganë duken ende disi të hutuar, peng të kujtimeve dhe frikës për familjarët ende në atdhe, por edhe mirënjohës për mundësinë që po i jep populli shqiptar.
Për shumë prej tyre, ky është edhe rasti për të përjetuar gjëra që nuk kishin mundësi të bënin në Afganistan. Tahera, një studente mjekësie 21-vjeçare, dëshiron të mësojë notin dhe biçikletën, diçka e ndaluar në Kabul.

Pushuesit shqiptarë, kryesisht nga Kosova, duket se po i mirëpresin ato, dhe nuk duken të shqetësuar nga prania e tyre.“Jemi refugjatë luksi. Shkojmë në plazh, shohim vajza gjysmë të zhveshura, flemë dhe hamë rregullisht. Për pjesën më të madhe të njerëzve, kjo është parajsa”, thotë një ish-përkthyes, i cili pohon se pavarësisht komoditetit ende nuk fle nga makthi kur kujton mënyrën si iku nga qyteti i tij Herat, duke iu shpëtuar kontrolleve të talibanëve.