Afërsia e shefit të ri të inteligjencës amerikane me shqiptarët

Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka konfirmuar John Ratcliffe si shef të ri të Inteligjencës Kombëtare.

Këtë pozitë deri tash e mbante Richard Grenell, si ushtrues detyre. Grenell, që është edhe ambasador në Gjermani, është edhe i dërguar special i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Ratcliffe njihet për lidhje të forta me komunitetin shqiptar në SHBA.

Më 2016, Ratcliffe kishte qenë i pranishëm dhe kishte mbajtur fjalë rasti në cilësinë e të ftuarit të veçantë në “Forumin Ekonomik Mbarëkombëtar të Diasporës Shqiptare” në New York, i organizuar nga rrjeti shqiptaro-amerikan.

Në disa takime të tjera shihen fotografi të Ratcliffet me Pandeli Majkon, ministër i Shqipërisë për Diasporën dhe me Fatmir Mediun, ish-ministër i Mbrojtjes në Shqipëri. Takime me të kanë pasur edhe zyrtarë nga Kosova, përfshirë deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Kongresisti Ratcliffe është mik i afërt me biznesmenë shqiptarë në Amerikë. Kjo dëshmohet nga fotografitë e postuara në rrjete sociale nga këta biznesmenë.