Afër shkollës në Strugë po ndërtohet fabrikë për përpunim të marihuanës

Banorët e disa fshatrave të Strugës janë të shqetësuar pasi vetëm 100 metra larg shkollës fillore në fshatin Drsllajcë ku mësojnë fëmijët e tyre po ndërtohet fabrikë për marijuanë, shkruan Alsat.

Ata shprehen se është e papranueshme që të ketë impiant të tillë pranë një institucioni arsimor.

“Të gjithë kanë frikë nga droga ndërsa shkolla është 50 metra larg. Është normale që nuk është mirë të ndërtohet kjo fabrikë këtu”, tha Sllavko Millosheski- kryetar i B.L në Drsllajcë.

“Çfarë mbrojtje do të kenë fëmijët tanë që janë në afërsi prej 50 apo 100 metrave, që ecin dhe shëtisin kënde”, u shpreh Aco Poposki- kryetar i B.L në f.Moroishtë.

Në këtë shkollë fillore mësojnë rreth 150 fëmijë nga tre fshatrat e Strugës, Drsllajcë, Moroishtë dhe Llozhan.

“Institucionet shtetërore duhet t’u kushtojnë vëmendje këtyre gjërave. Ka dyshim te popullata se çfarë ka prapa atyre mureve”, tha një qytetar.

Nga Ministria e shëndetësisë thonë për Alsat se vendimi për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore është dhënë në vitin 2019 ndërsa pronarët janë shtetas të Shqipërisë.

“Ligji askund nuk para shikon se ku duhet të vendoset objekti i paraparë për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Ministri i arsimit thotë se është i informuar për rastin.

“Jam i informuar me rastin. Por, dihen kompetencat e Ministrisë së arsimit në rastin konkret”, thotë Jeton Shaqiri- ministër i arsimit.

Nëse nuk ka zgjidhje të problemit, banorët e tre fshatrave paralajmërojnë protesta.