Afër rezidencës së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ranë dy raketa

Dy raketa ranë mbrëmë pranë rezidencës private të kryeministrit Benjamin Netanyahu në qytetin Caesarea, në qendër të Izraelit, njoftuan shërbimet e sigurisë, duke e përshkruar incidentin si një “rast serioz”.
“Rreth orës 19:30 me kohën lokale raketa ranë në oborrin përpara rezidencës së kryeministrit,” thuhet në deklaratën e përbashkët të policisë dhe shërbimit izraelit të inteligjencës Shin Bet.

Kryeministri dhe familja e tij nuk ndodheshin në shtëpi, kanë bërë të ditur shërbimet përkatëse, duke e cilësuar incidentin si një “përshkallëzim të rrezikshëm”. Nuk është specifikuar se nga u lëshuan raketat.
Më 22 tetor, një dron goditi rezidencën e Netanyahut. Në atë rast, kryeministri nuk ndodhej në shtëpi, por ai akuzoi lëvizjen Hezbollah për një përpjekje për të vrarë atë dhe bashkëshorten e tij.