Aeroportet në Maqedoni nën dry, në pritje të hapjes, por nuk dihet…

Ministri i Transportit, Goran Sugareski njoftoi mbrëmë se në takimin e Shtabit të krizës, ka hapur çështjen e rihapjes së aeroporteve dhe vendkalimeve kufitare, por ende nuk ka ndonjë propozim të tillë nga Komisioni për sëmundje infektive.

“Para disa ditësh bisedova me drejtorin e TAV-it, i cili përmendi se duhet të merret parasysh se atyre u duhen 7 deri në 10 ditë për testime të mundshme në aeroport”, deklaroi Sugareski.

Destinacionet dhe frekuentimet e fluturimeve këtë vit do të varen gjithashtu nga organizimi i brendshëm dhe vendimet e linjave ajrore, sepse ato, si pjesë e biznesit të linjës ajrore, janë prekur ndjeshëm nga kriza me virusin Kovid-19.

Në fundjavë kishte vetëm 38 fluturime në hapësirën ajrore të Maqedonisë së Veriut, që është 95 për qind më pak se në vitin 2019, njoftoi në Tuiter, drejtori i përgjithshëm i Organizatës evropiane për siguri të navigacionit ajror (Eurokontrol), Emon Brenan.

Vlerësimi i rregullt gjithëpërfshirës i Eurokontrolit për gjendjen e fundit në komunikacionin ajror në Evropë tregon se janë realizuar 4.803 fluturime më 6 maj, që paraqet rënie prej 84,8 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Nga dy aeroportet në shtet, në Shkup dhe Ohër, të cilat janë të mbyllura për komunikacion ajror të pasagjerëve që nga mesi i marsit të këtij viti, realizohen vetëm fluturimet transportuese dhe humanitare për kthimin e qytetarëve në vend. Në mars të këtij viti, pas mbylljes së dy aeroporteve në vend, koncesioneri TAV Maqedoni regjistroi ulje të pasagjerëve për 55 për qind, krahasuar me marsin e vitit të kaluar, ndërsa në prill për 99 për qind.