Adriana Matoshi në shesh për të mbështetur paradën e LGBTI-së, “Bashkë dhe krenarë”


Sot (e enjte) në sheshin e Prishtinës është organizuar parada e komunitetit LGBTI, “Bashkë dhe krenarë”.
E ashtuquajtur ndryshe edhe si “Parada e Krenarisë”, ky marshim organizohet në kuadër të muajit qershor, që ndërkombëtarisht njihet tashmë si muaji i ndërgjegjësimit me personat e komunitetit LGBTI.

Kësaj parade i janë bashkuar emra të shumtë edhe nga fusha e politikës, ndër ta ish-ambasadorja, Vlora Çitaku, dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Frashër Krasniqi.
Vlora Çitaku dhe Frashër Krasniqi pjesë e paradës së komunitetit LGBTI në kryeqytet (Foto: Telegrafi)
Ndërkohë, në paradë po merr pjesë edhe aktorja e mirënjohur dhe deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshi.

Ajo ka publikuar në InstaStory një video nga momenti kur bashkë me turmën, ka ecur drejt sheshit me flamujt shumëngjyrësh, në mbështetje të komunitetit LGBTI.
Organizatorët e kësaj parade janë Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD) dhe Qendra për Liri dhe Barazi (CEL) me organizatat partnere Civil Rights Defenders (CRD), Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS) dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ).