Adnan Azizi përkujton komandant Kushtrimin: Harun, ty nuk të vrau plumbi i lirisë, por i tradhtisë

Sekretari organizativ i Lëvizjes BESA, Adnan Azizi nëpërmjet një postimi në profilin e tij në Facebook ka përkujtuar shokun e tij të idealit, Komandant Kushtrimin apo Harun Aliun.

Sipas Azizit, Harunin nuk e vrau plumbi i lirisë, por i tradhtisë, sepse ai u bë therrë e zezë tek strukturat e zeza sllavomaqedonase.

Ja statusi i plotë i Azizit:

Shkëndija e parë e UÇK-së Harun Aliu, Komandant Kushtrimi!

I lindur dhe rritur në Shkup në një familje me traditë të lartë morale, fetare dhe patriotike. I interesuar gjithmonë për idealet dhe kauzën tonë kombëtare!
Që në moshë të re ishte i fokusuar të jap kontributin dhe mundin e tij për lëvizjet e hershme ilegaliste duke qenë i ngarkuar herë në Shqipëri, herë në Kosovë dhe së fundmi në Maqedoni me detyra logjistike dhe strategjike për organizimin e luftërave që ishin të planifikuara kundër shtypjes dhe terrorit ndaj shqiptarëve!
E thërrisnin Kushtrim në luftë sepse vërtetë kishte dhënë kushtrimin dhe betimin se do të luftojë deri në pikën e fundit ndaj çfarëdo lloj padrejtësie dhe pabarazie që zhvillohet kundër kombit shqiptar!

Me Harunin na bëri të njohur e njejta rrugë, rruga e idealit dhe kauzës kombëtare!
Kushtrimi ishte burrë i matur, mendjendritur, besnik, modest dhe i vendosur, atdhetar i shquar dhe patriot i vërtetë!
I bindur se tanimë në Maqedoni janë shterrur të gjitha rrugët e dialogut dhe kompromiseve për të gjetur gjuhën e përbashkët me politikat nacionaliste dhe përjashtuese të asaj kohe për një status të barabartë të shqiptarëve si komb shtetformues në vendin e tyre, komandanti herën e parë e dha kushtrimin në aksionet guerile në Tetovë, pastaj duke ushtuar për së pari herë pushka e tij e lirë në malrt e Sharrit dhe të Karadakut. Ai jetoi me dëshirën e tij çlirimtare dhe vullnetin këmbëngulës të tij kundër çfarëdo lloj përbuzje që ushtrohet mbi kombin e tij këtu në Maqedoni!

Harun Aliu si ideator, hartues dhe nismëtar i luftës së UÇK-së në Maqedoni pas mbarimit të misionit dhe përfundimit të luftës së 2001-shit, u burgos në Kosovë nga skenarët e profiterëve të luftës dhe të atyre që e morën bajrakun politik të përfaqësimit të shqiptarëve në Maqedoni pas 2001-shit.
Haruni duke parë se misioni i tij dhe i shokëve të tij të luftës po keqpërdoret dhe tradhtohet nga krerët politik që morën përsipër implementimin e Marrëveshjes së Ohrit që nuk përmisonte jetesën dhe gjendjen e shqiptarëve dhe se me këtë zhgënjim ai nuk pajtohej asesi!

Veprimtaria dhe qëndrimet e Harunit të para dhe pas luftës sigurisht se dorës së zezë gjakatare nuk i pëlqente dhe jorastësisht Komandant Kushtrimi u bë therrë në sy për strukturat e errëta të shërbimeve sllavomaqedonase.
Ndaj tij filluan montimet e rasteve politike duke e dënuar pa fakte me burg të përjetshëm e deri në mbarimin e misionit të këtyre shërbimeve në dëm të shqiptarëve duke dashur Harunin e vdekur!
Dënimi me burg të përjetshëm ishte hakmarrje klasike për veprimtarinë e tij kombëtare!
Haruni nuk ishte i gatshëm të bjerë në duart e policisë dhe të vuaj padrejtësisht burg të përjetshëm vetëm pse kishte punuar për idealin e kombit të tij, prandaj ai përsëri u detyrua të largohet nga vendi!

Rruga e idealit dhe veprimtarisë kombëtare e komandant Kushtrimit përfundoi për së fundi herë në pabesi mes maleve të Merovës drejtuar kufirit të Kosovës, me 12 maj të vitit 2010 ku së bashku me të u gjendën të vrarë në rrethana misterioze dhe krejtësisht enigmatike, krahu i djathtë i tij Hoxhë Shaban Zenuni, Xhafer Shala dhe Qemal Fejzullahu.

Harunin nuk e vrau plumbi i lirisë, gjë të cilën ai e donte, por e vrau plumbi i tradhëtisë dhe pabesisë, gjë për të cilën Haruni luftoi kundër deri në momentet e fundit të jetës së tij!

I përjetshëm qoftë kujtimi për ty Harun!

“Mos thonë se ata kanë vdekur, ata janë të gjallë tek Zoti i tyre furnizohen”