ADKOM: Çmimet e shërbimeve komunale do të rriten, nëse Qeveria e Maqedonisë nuk na ndihmon

Shoqata e ofruesve të shërbimeve komunale ADKOM, e cila bashkon 90 shoqëri publike në territorin e të gjithë vendit, sot sërish ka apeluar për mbledhje te Qeveria, nga e cila kërkon ndihmë për shkak të rritjes së kostove të shërbimit, si shkak pasojë e rritjes së të gjitha çmimeve në vend e me theks të veçantë energjisë elektrike.

Nëse nuk ka ndihmë, ata njoftojnë ndryshime në çmimet e shërbimeve. Në një komunikatë të sotme, ADKOM bëri të ditur se nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga Qeveria në lidhje me takimin që kanë kërkuar një muaj më parë për gjendjen me kostot në rritje të ndërmarrjeve dhe nevojën për ndihmë nga qeveria.

“Kujtojmë se më 18 korrik, ADKOM publikisht kërkoi takim me përfaqësues të Qeverisë, në të cilin mundësia e subvencioneve dhe mbështetjes për ndërmarrjet të cilat kanë disafishim të kostove të shkaktuar para së gjithash nga rritja enorme në kostot e energjisë elektrike, do të merren parasysh. Vazhdimi i kësaj gjendjeje në të cilën gjenden shoqëritë publike vë në pikëpyetje cilësinë e shërbimeve që ofrojnë për qytetarët, si dhe ekzistencën normale të vetë kompanive, të cilat ofrojnë punë për mijëra familje”, thuhet në njoftim.
ADKOM thekson se qeveria, e cila merr pjesë në formimin e çmimit të energjisë elektrike dhe miratoi rritjen e energjisë elektrike, duhet të kuptojë këtë problem real.

“Nëse nuk gjendet një zgjidhje e qëndrueshme dhe qeveria nuk ndihmon, ndërmarrjet e bashkuara nga ADKOM-i do të duhet t’i qasen përgatitjes së një rishikimi të çmimeve me të cilat aktualisht ofrojnë shërbimet. Edhe një herë apelojmë për takim me Qeverinë në të cilin do të diskutohet për përkrahjen konkrete për sektorin publik”, thuhet në njoftimin e ADKOM-it.