Ademi: Nuk dëshirojmë shkollat të jenë vatër e përhapjes së KOVID-19

Shëndeti i nxënësve është më i rëndësishmi. Nuk dëshirojmë që shkollat të jenë vatër për përhapjen e KOVID-19. Është e qartë se nuk ekziston zëvendësim i mësimit në klasë por në këtë moment procesi onlajn është më i përshtatshmi. U bëjmë apel të gjithë mësimdhënësve të vazhdojnë me përgjegjësi dhe profesionalizëm ta kryejnë punën e tyre, të japin kontribut që të ngrihet kjo mënyrë e organizimit të mësimit mbi nivelin optimal, tha ministri i Arsimit, Arbër Ademi.

Në pjesëmarrjen e sontme në “Top tema” Ademi theksoi se vetëm tetë ditë shkolle janë humbur nga ndërprerja e mësimit deri në sjelljen e vendimit për “mësim onlajn nga larg”. Mësimi është duke u organizuar dhe vijuar mirë. Është siguruar internet falas për të gjithë fëmijët e familjeve të rrezikuara sociale, ndërsa janë siguruar edhe sistemi TI që të gjithë nxënësit të kenë qasje në arsimin onlajn.

“Nuk them se gjithçka është e shkëlqyer dhe se kjo mënyrë e mësimit do ta zëvendësojë mësimin konvencional, por më duhet të theksoj se ishim midis shteteve të para të cilat shpejtë dhe në kohë u organizuan. Nuk bëhet fjalë për sukses apo mossukses të të mësuarit në shtëpi. Tani për tani nuk ka opsion tjetër pos mësimit nga larg pasi procesi edukativo-arsimor nuk mund të mbahet në shkollë. Mësimi mund të realizohet vetëm në këtë mënyrë. Vendimi të mos kthehen nxënësit deri në fund të vitit shkollor është marrë duke i pasur parasysh informacionet e Ministrisë së Shëndetësisë sipas rekomandimeve të së cilës ne i krijojmë politikat arsimore. Për një kohë të gjatë jemi duke folur për atë se kur duhet të kthehen nxënësit në bankat shkollore, i shqyrtuam të gjitha informacionet dhe i propozuam masat. Rreziku nga përhapja e KOVID-19 është zvogëluar por ekziston akoma. Nuk dëshirojmë që fëmijët tanë t’i vëmë në rrezik. Si do të kërkonim distancë sociale dhe nëse ajo do të respektohej midis nxënësve të klasës së parë? Vallë nuk do të përqafoheshin ata duke e pasur parasysh se nuk janë parë kaq kohë?, tha Ademi.

Lidhur me kontrollin onlajn të procesit arsimor, theksoi se e zbatojnë organet operative siç është Inspektorati Shtetëror i Arsimit.

“Inspektorati bën mbikëqyrje çdo ditë në shkollat fillore dhe të mesme të cilat javët e para morën pyetësorë se si të organizohet dhe realizohet mësimi onlajn. Informacionet nga terreni janë mjaft inkurajuese. Sërish do të them, ishim shumë të kujdesshëm kur i sollëm dekretet, ndërsa edhe qasja ishte inkluzive”, theksoi Ademi.

Sipas tij për regjistrimet në shkollat fillore dhe të mesme ka kohë, janë duke u përgatitur protokolle të posaçme dhe nuk duhet të prejudikohet me çfarë rrethanash do të përballemi gjatë periudhës së ardhshme për shkak të KOVID-19, ndërsa si rrjedhojë edhe çfarë masash do të ndërmerren, më e rëndësishmja është se rekomandimet e institucioneve shëndetësore duhet të respektohen, ndërsa MASH është e gatshme për çfarëdo skenarësh.

Lidhur me arsimin e lartë, Ademi përsëriti se e gjithë veprimtaria universitare duhet të jetë onlajn – kollokfiume, provime, mbrojtja e punimeve të diplomës, magjistraturës dhe doktoratës.

Në pyetjen për çmimin shtetëror “Goce Dellçev”, nënvizoi se Ministria e Arsimit nuk ka hequr dorë nga ndarja e tij. Ai nuk ndjen përgjegjësi për mosndarjen e çmimit edhe vitin e kaluar edhe sivjet. Vlerëson se është koincidencë e pastër, si dhe se nuk ka kurrfarë lidhje me temat aktuale, ambiciet dhe aspiratat shteti ynë të jetë anëtar i BE-së.