Ademi: Mbisundon mendimi pozitiv që viti shkollor të fillojë me prani fizike

Mbisundon mendimi pozitiv edhe në Shtabin koordinues të krizës edhe në Qeveri, por edhe në institucionet arsimore, që viti shkollor të fillojë me prani fizike. Nuk paragjykojmë, janë duke u shqyrtuar të gjitha opsionet e mundshme, i kemi protokollet për të gjitha modelet e mësimit që janë duke u përgatitur përmes qasjes gjithëpërfshirëse me konsultimin e të gjitha palëve të interesuara që të kemi zgjidhje të qëndrueshme, deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi.

Në video-takimin me mediat në të cilin u prezantuan rezultatet nga hulumtimi për përvojat nga mësimi onlajn në vitin e kaluar shkollor, Ademi tha se ka kohë të mjaftueshme deri më 1 shtator që të organizohet fillimi i vitit shkollor 2020/2021 dhe të gjitha shkollat të përgatiten për zbatimin e protokolleve. Dritë jeshile për modalitetet, siç u shpreh, është dhënë nga Komisioni i Sëmundjeve Ngjitëse me të cilët i kanë përpunuar hollësisht, kanë marrë qëndrime edhe nga SASHK-u dhe në ditët në vijim pritet finalizimi i tyre.

“Faza e radhës është që edhe një herë të shqyrtohen protokollet në Komisionin dhe më pas në seancën e Qeverisë të vendoset se cili model konkretisht do të ishte aktivizuar, për cilat rrethana dhe në cilën gjendje epidemiologjike. Kemi kohë para nesh”, tha Ademi.

Lidhur me peticionet nga prindërit në rrjetet sociale kundër hapjes së shkollave, por edhe kundër mësimit onlajn, ai u përgjigj se çfarëdo opsioni që të ofrohet ose të ndërmerret ndonjë zgjidhje, gjithmonë do të hasni në njerëz që japin rezistencë ose do të gjejnë arsye për t’i kontestuar. Ai shtoi se prandaj të gjitha vendimet i marrin përmes qasjes së përfshirjes së të gjitha palëve të interesuara dhe përmes hulumtimit dhe analizës. Me këtë rast, theksoi se mësimi konvencional në klasë është i pazëvendësueshëm dhe se edhe në vendet më të zhvilluara që kanë kushte të përsosura teknike për е-mësim, i njëjti nuk organizohet në tërësi.

Në video-takimin u prezantuan rezultatet e hulumtimit. “Përvoja dhe qëndrime për nxënien në distancë gjatë pandemisë së Kovid-19”, të cilat tregojnë se rreth gjysma e prindërve, drejtorëve dhe mësimdhënësve të anketuar konsiderojnë se duhet të vazhdohet mësimi në shkollë në shtator. Rreth një e treta e prindërve, drejtorëve dhe mësimdhënësve janë për qasje të kombinuar në mësimin në distancë (kombinim të klasave dhe ditëve brenda javës).

Thuajse 59 për qind e drejtorëve të anketuar, 58 për qind e mësimdhënësve të anketuar në arsimin fillor dhe 48 për qind në arsimin e mesëm, si dhe 46 për qind e prindërve të anketuar e kanë mbështetur mësimin e rregullt në klasë në përputhje me protokollet. Për mbështetjen e modelit të kombinuar të mësimit në klasë dhe në distancë janë shprehur 36 për qind e drejtorëve të anketuar, 33 për qind e mësimdhënësve në arsimin fillore dhe 38 për qind e mësimdhënësve në arsimin e mesëm, si dhe 35 për qind e prindërve.

Më shumë se gjysma e mësimdhënësve (54 për qind) konsiderojnë se në tre muajt e mësimit onlajn (mars-qershor) është rritur numri i nxënësve që kanë vështirësi të përvetësojnë materialin mësimor, ndërsa 77 për qind e mësimdhënësve në një periudhë të caktuar të mësimit në distancë nuk kanë arritur të vendosin kontakt me nxënësit. Shumica e mësimdhënësve kanë thënë se kanë nevojë për trajnim për përdorimin e teknologjisë arsimore. Shumica e prindërve të anketuar kanë pasur vështirësi që t’i mbështesin fëmijët e tyre gjatë nxënies në distancë.

Prej tyre 61 për qind janë prononcuar se obligimet e tyre të punës i kanë penguar t’u kushtojnë kohë plotësuese të nevojshme për mbështetjen e nxënies-onlajn. Qasja deri te interneti dhe pajisja kompjuterike, gjithashtu, ka qenë pengesë për disa amvisëri, kështu që 37 për qind e prindërve kanë deklaruar se fëmijët është dashur të ndajnë laptope ose kompjuterë me anëtarë të tjerë të familjes, e madje se nuk kanë pasur internet të qëndrueshëm. Se kanë qasje deri te laptopi ose kompjuteri kanë thënë 5 për qind.