Viti shkollor 2019/2020 do të përfundojë me vendimin e Qeverisë që nxënësit të mos kthehen në bankat deri më 10 qershor. Nga mbyllja e shkollave dhe fakulteteve më 11 mars, sfida ishte se si të vazhdohet mësimi në distancë dhe të zëvendësojë atë formal dhe në këtë thuajse tre muaj nxënësit dhe mësimdhënësit aftësoheshin për e-mësim.
Për arsimin qershori është muaj i provimeve dhe regjistrimeve. Maturë shtetërore për këtë gjeneratë nuk do të ketë, por pritet sesioni i provimeve të qershorit për studentët dhe regjistrime për nxënësit e ardhshëm të shkollave të mesme për të cilët afatet nuk do të ndryshohen.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës Arbër Ademi është i kënaqur nga masat e ndërmarra me të cilat u mundësua mësim i pandërprerë në kushte të pandemisë, që ishin rregulluar edhe në aspektin juridik me dispozitat e miratuara me fuqi të ligjit. Në një intervistë për AIM Ademi shprehet se janë të përkushtuar maksimalisht dhe bisedohet për çështje se si do të kishit vepruar nëse përballemi me rrethana të njëjta ose më të këqija prej shtatorit, në fillim të vitit të ardhshëm shkollor.
“Në përgjithësi, nëse kemi situatë të njëjtë, rrethana të njëjta, ndoshta do të përballemi me masa të njëjta ose do të mendojmë në drejtim të riorganizimit ose organizimit dhe realizimit më ndryshe të mësimit në bankat shkollore”, tha Ademi.
Për provimet e radhës në sesionin e qershorit shprehet se ua lënë universiteteve që të vlerësojnë dhe zgjedhin vetë nëse në fakultetet e tyre ka kushte për organizimin e provimeve me prani fizike të studentëve, me këtë rast t’i respektojnë në mënyrë të përpiktë rekomandimet për mbrojtje të shëndetit publik.
“Qëllimisht u lëmë fleksibilitet universiteteve, duke u bazuar në autonominë e tyre. Besojmë fuqishëm se çdo universitet, çdo njësi, bashkësi akademike, do t’i qaset me përgjegjësi kësaj çështjeje”, shton Ademi.
Në intervistën për AIM ministri lajmëroi se këtyre ditëve në seancat qeveritare do të shqyrtohen Propozim-vendimi për regjistrimet për arsim të lartë, duhet të saktësohet dekreti për ndarjen e kuponëve për nxënës dhe studentë nga pakoja e tretë e masave nga KOVID-programi i Qeverisë (Dekreti për kartelë pagesore është miratuar pardje), ndërsa për regjistrimet e radhës në shkollat e mesme tha se nuk do të ketë prolongim të afateve të përcaktuara në Konkursin, por se për zbatimin e regjistrimeve janë përgatitur protokolle me masa për mbrojtje, njëjtë si edhe protokolle për provimet që do të organizohen në institucionet e larta arsimore.