Ademi: Dëshirojmë kthim në bankat shkollore prej 1 shtatorit

Dëshirojmë nxënësit të kthehen në shkolla sepse mësimi aty nuk ka zëvendësim, sado të përpiqemi. Do të përgatitemi për çfarëdo lloj skenari, por dëshirojmë në kushte dhe rrethana normale të kthehemi në shkolla prej 1 shtatorit, tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi gjatë pjesëmarrjes në emisionin e fundit “TV Klasa”, e cila prej 16 marsit emetohej çdo ditë paradite në Radio Televizionin e Maqedonisë.

Me rastin e fundit të vitit shkollor 2019/2020, ministri Ademi edhe në profilin e tij në Fejsbuk i uroi nxënësit për sukseset e arritura dhe diturinël e përfituar, duke iu dëshiruar pushim të këndshëm deri në fillimin e vitit të ri shkollor, me shpresë se “do të kthehemi në bankat shkollore”.

“Nxënës të dashur, do të dëshiroja këtë vit shkollor, si vitet e kaluara, ta përfundonit në bankat shkollore, të buzëqeshur së bashku me shokët e shoqet! Por, ndonjëherë punët nuk shkojnë siç dëshirojmë ne… Edhe përkundër faktit se nuk mund të zëvendësohet mësimi në bankat shkollore, ju treguat interes dhe përkushtim maksimal të vazhdoni të mësoni nga largësia me ndihmën e prindërve, dhe nuk dyshoj se e keni arritur qëllimin”, shkroi Ademi në Fejsbuk dhe u propozoi nxënësve gjatë pushimit të lexojnë ndonjë libër apo lektyrë dhe të kyçen në aktivitete sportive. Maturantëve dhe të diplomuarve, ndërkaq u dëshiroi sukses në regjistrime.

Gjatë pjesëmarrjes në “TV-Klasa” në RTVM, Ademi theksoi se të gjithë kontribuuan që procesi i mësimit onllajn të jetë i suksesshëm – krahas nxënësve dhe mësimdhënësve, e vlerësoi edhe angazhimin e prindërve.

“Për hir të së vërtetës, nuk shkoi gjithçka lehtë në kuptimin e organizimit dhe realizimit të procesit arsimor”, tha Ademi. Sfida kryesore ishin mosha e nxënësve, përkatësisht shkathtësia e më të vegjëlve për përdorim të pajisjeve elektronike, si dhe problemi me qasjen drejt internetit të nxënësve nga familjet e rrezikuara sociale, gjë që u tejkalua.

Për “TV Klasën” në RTVM tha se ka qenë e organizuar në mënyrë të përkryer, ndërsa kontribut kryesor patën vetë mësimdhënësit të cilët çdo ditë morën pjesë për ë transmetuar përmbajtje nga programet mësimore.

“TV Klasa” iu dedikua filloristëve dhe fëmijëve të moshës parashkollore dhe u organizua në gjuhën maqedonase në MRT1 dhe në gjuhën shqipe në MRT2. Prej orës 9:30 deri në orën 10:00 çdo ditë gjatë pothuajse tre muajve paTI PROGRAm për fëmijët e moshës parashkollore, ndërsa pas “pushimit të madh” gjysmëorësh, prej orës 10:30 deri në orën 12:15 emetohej “TV Klasa” për filloristët.