Adem Jashari zgjidhet bartës liste për këshilltar në Komunën e Bërvenicës.

Adem Jashari zgjidhet bartës liste për këshilltar në Komunën e Bërvenicës.

Adem Jashari shkruan:

Të nderuar qytetarë të Komunës së Bërvenicës,
Të dashur bashkëvendës të mi të Çellopekut,

Unë, biri juaj, Adem Jashari, jam zgjedhur që të jem bartës liste për këshilltar në Komunën e Bërvenicës nga radhët e koalicionit të vetëm shqiptar Aleanca për Shqiptarët & Alternativa.

Për mua, mbi të gjitha, është përgjegjësi e madhe, por edhe nder e privilegj që të jem përfaqësuesi e zëri i juaj në Këshillin Komunal të Komunës. Por, përveç kësaj, është edhe barrë e rëndë që ia kam ngarkuar vetes mbi supe. Megjithatë, besoj se bashkë me ju do ia dal!

Ashtu siç më njihni, gjithmonë jam munduar ta jap maksimumin nga vetja ime për të mirën tonë në fshat e në Komunë. Kam qenë dhe do mbetem i tillë, sepse për mua, para çdo interesi tjetër, më i rëndësishëm është interesi i përgjithshëm lokal e kombëtar.

Që sot zotohem se do të jem zë i fuqishëm e kritikues për çdo padrejtësi e keqpërdorim, punëtor e shërbëtor i qytetarëve, por edhe i paluhatshëm e parimor.

Unë besoj në komunën tonë, në potencialin e saj dhe shpresoj se do të bëjmë shumë punë, me të cilat do e zhvillojmë komunën tonë në të gjitha aspektet dhe do e avancojnë jetën tonë, në përgjithësi.

Rinia, arsimi, ekonomia dhe ekologjia do jenë katër shtyllat kryesore që do ta shënojnë angazhimin tim në mandatin katërvjeçar si këshilltar.

Po i hy kësaj gare duke qenë i bindur në fitore dhe se me ju bashkërisht do ia dalim të jemi fitues. Siç thotë edhe Abraham Linkoln: “Prej popullit, me popullin dhe për popullin”.

Na priftë e mbara!
Me përkulje e besim!

Adem Jashari