Adem Demaçi: Qysh shtëpia e hoxhës me nderu një katolik

Pas lirimit nga burgu, dhe pas pritjes së vizitave të shumta nga e gjithë Kosova, në fillim të viteve ’90, Adem Demaçi, kishte marrë iniciativë për t’i vizituar familjet rezistente të patriotëve që e kishin luftuar (ri)pushtimin serb të Kosovës, në periudha të ndryshme.

Gjatë këtij shtegtimi, ai u ndal dhe tek familja e patriotit Azem Jashanica – Bellaqevci. Me këtë rast takoi anëtarët e ngushtë të familjes së tij, ndër ta edhe bashkëshorten e Azemit si dhe vëllain e tij Raifin, që të dy të shtyrë në moshë.

Pas bisedave të përzemërta dhe evokimit të kujtimeve, sa të dhimbshme aq dhe krenare, nga të dyja palët, bacës Adem i bie në sy një detaj në dhomën e pritjes së nikoqirëve; fotografia e përbashkët e tre luftëtarëve të mëdhenj të Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare (LNDSH): Ajet Gërguri, Gjon Serreçi dhe Azem Jashanica, varur në një kornizë.

Nga habia e asaj pamje në një shtëpi hoxhësh, por dhe nga kurioziteti, baca Adem, si qafëshkurtër (i papërmbajtshëm) që ishte, i drejtohet mulla Raifit, me theks nga lokja plakë (gruaja e Azemit):
“Qaj qaty (e drejton gishtin tregues nga fotografia e Gjon Serreçit), nuk osht musliman. Qysh bohet n’shpi t’muslimanit e t’hoxhes me u nerue ni katolik”?!

“Gjoni ka liftu për komb e bajrak bashkë me Azemin, e herojtë si aj kanë pasë dhe kanë me pasë venin ma t’naltë n’shpijen tonë”, ia kthen lokja.
Sigurisht, një përgjigje të tillë e priste baca Adem.

Rrëfimi është sjellur nga profesori i historisë, Adem Breznica

“Këtë detaj lidhje me dy atdhetarët dhe patriotët e mëdhenj, të periudhave të ndryshme të rezistencës kundër pushtimit serb, Azem Bellaqevcit dhe Adem Demaçit, nga nipi i bacës Raif, Muhamet Jashanica, i cili ma parafrazoi tregimin e rrëfyer nga protagonistët e ngjarjes, babai i tij Nuhiu (djali i Raifit) dhe kushëriri, Ahmeti (djali i Azem Jashanicës)”.

Shkrimi bëhet në një vjetorin e vdekjes së simbolit të rezistencës anti-serbe, të periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore, Adem Demaçit, në shenjë përkujtimi për jetën dhe veprimtarinë e tij patriotike.