Thuajse e gjithë Europa po përballet me motin e keq. Në Greqi tre persona kanë humbur jetën si pasojë e stuhisë së borës në juglindje të Athinës. Temperaturat në Greqinë qendrore dhe veriore kanë mbetur nën zero prej pothuajse një jave. Dëbora e madhe ka ndërprerë shërbimet e transportit dhe fluturimet janë detyruar të devijohen në veri të vendit. Në disa qytete si Selanik dhe në veri të Athinës, dëbora ka arritur deri 50 cm trashësi.
Shërbimi i mbrojtjes civile u ka bërë thirrje autoriteteve komunale të jenë në gatishmëri për shkak se moti pritet të përkeqësohet të hënën. Në Maqedoni reshjet e borës dhe ngricat kanë shkaktuar vështirësi në qarkullim. Situatë më e vështirë paraqitet në disa fshatra ku lëvizja e automjeteve bëhet vetëm me zinxhirë. Dëbora ka arritur deri në 2.5 metra trashësi. Në Austri, janë evidentuar shumë probleme me dëborën ku qindra turistë kanë mbetur të bllokuar në fshatrat malore, njëri prej të cilëve u evakuua. Autoritetet ndërhynë pas rrezikut që i kanosej nga një ortek.
Edhe Gjermania është prekur nga acari. Të paktën 120 fluturime janë anuluar dhe rreth 70 të tjera janë vonuar për më shumë se një orë në aeroportin e Mynihut. Ngricat dhe erërat e forta pritet të vazhdojnë edhe në fillim të javës. Në disa rajone të Italisë transporti është i bllokuar, ndërsa në të tjera qarkullimi me zinxhirë është i detyrueshëm. Krahas rajoneve veriore dëbora dhe ngricat kanë pushtuar edhe jugun. Sipas agjencive meteorologjike evropiane, acari do të vazhdojë edhe për disa javë të tjera.