Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se nuk dëgjuan plan konkret nga ana e kryeministrit për të dalë nga situata e krijuar.
“Nuk kuptuam diçka më të re se deklarimet publike që kryeministri i ka pas, e gjithashtu nuk pamë plan konkret për zgjidhjen e situatës së krijuar në veri të vendit. E gjithashtu nuk pamë as gatishmëri për koordinim të plotë me aleatët ndërkombëtar”, tha Abdixhiku.
Ai shtoi se koordinimi me aleatët ndërkombëtar në Uashington dhe Bruksel është zgjidhja e vetme për situatën aktuale.
“Për LDK-në besojmë që koordinimi i ngushtë me DASH, me institucionet e sigurisë amerikane aleatët në Uashington dhe Bruksel është zgjidhja e vetme adekuate për situatën në të cilën është Kosova. Kosova nuk duhet të bie pre e kurtheve të destabilizimit të vendit nga faktorë që burojnë në Beograd”, u shpreh Abdixhiku.
I pari i LDK-së shtoi se Qeveria do ta ketë përkrahjen e këtij subjekti për aq kohë sa ka plan konkret për çështjen e sigurisë në vend, dhe ka koordinim të plotë me aleatët.
“Është jetike që Kosova të koordinohet me aleatët e vet. Një Qeveri që i kërkon popullit të zgjedh mes aleatëve dhe ligjshmërisë ka bërë gabim. Ne kërkojmë që kjo Qeveri të siguroj edhe ligjshmërinë edhe aleatët e vet”, tha Abdixhiku. /Telegrafi/