Abazoviç edhe Ministër i Jashtëm

Qeveria malazeze ka konfirmuar zyrtarisht se kryeministri Abazoviç përveç postit të kryeministrit do të drejtojë paralelisht edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme ndërsa në krye të Ministrisë së Mbrojtjes është emëruar ministri i Brendshëm, Filip Axhiç.

Javën e kaluar, me propozim të kryeministrit Abazoviç, parlamenti në Podgoricë shkarkoi ish-ministrin e Mbrojtjes, Rashko Konjeviç, si dhe atë të Punëve të Jashtme, Ranko Krivokapiç. Këto lëvizje në kabinetin qeveritar vijnë pasi Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Gjukanoviç rezultoi humbësja më e madhe në zgjedhjet e pjesshme vendore të së dielës pas qeverisjes tridhjetëvjeçare të vendit.

Mesnatën e 20 Gushtit Kuvendi i Malit të Zi votoi pro mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së Dritan Abazoviç në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit për nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe. Abazoviç po ushtron ende detyrën si kryeministër pasi edhe pse një mazhorancë e re është krijuar në vend e mbështetur nga 41 deputetë nga gjithsej 81 sa janë në Kuvend. Zgjedhja e qeverisë së re malazeze është bllokuar nga presidenti Milo Gjukanoviç.