Abazi: Në katër tenderë në Likovë janë paguar afër një milion denarë për një firmë të nipit të Elmi Azirit

Koalicioni “VLEN” edhe sot në një konferencë për shtyp vazhdoi të publikojë informacione lidhur me tenderët që kanë të bëjnë me kompani të familjes së deputetit Elmi Aziri nga Fronti Evropian.

Dje publikuan informacione për tenderët që kompania e lidhur me familjen e deputetit Elmi Aziri i kishte marrë nga Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Komuniteteve, në kohën kur logjistika kryesore e BDI-së ishte nën drejtimin e Artan Grubit. Sot vazhdojmë me publikimin e të dhënave të reja se si e njëjta kompani, pronar i së cilës është nipi i gruas së deputetit Elmi Aziri, ka marrë tenderë nga Komuna e Likovës, shkolla e mesme “Ismet Jashari” në Likovë, gjimnazi “Sami Frashëri” në Kumanovë dhe nga Shtëpia e Shëndetit Publik – Kumanovë, deklaroi Bujare Abazi nga Koalicioni VLEN në konferencën e sotme për shtyp.

Në këto katër tenderë, theksoi ajo, kompania RITRON KOPI DOOEL import-eksport Kumanovë ka dhënë oferta për furnizim të pajisjeve kompjuterike, për të cilat i janë paguar pothuajse një milion denarë.
“Këto informacione tregojnë qartë se, pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për prokurime me vlerë më të vogël apo më të madhe, asnjë kompani nuk mund të marrë asnjë denar pa miratimin e BDI-së. Është e qartë se BDI ka vepruar si një strukturë mafioze që nuk është përmbajtur nga keqpërdorimi i parave të popullit për të realizuar ndikim politik,” tha Abazi.

Ajo shtoi se në rrjetën e BDI-së përfshihen të gjithë politikanët “që e shohin politikën si mundësi për pasurim personal dhe familjar.”
“Për këtë arsye, inkurajojmë udhëheqësinë e Frontit Evropian opozitar të shpjegojë mirë për anëtarësinë e tij pse ish-funksionarët kryesorë të Ali Ahmetit dhe Ziadin Selës janë nën dyshime për korrupsion politik,” përfundoi Abazi.