AAK-ja përsërit: Nëse Haradinaj s’votohet për president, vendi shkon në zgjedhje

Propozimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për Ramush Haradinajn president ka shkaktuar përplasje brenda koalicionit qeverisës. Kjo çështje mund të çojë vendin në zgjedhje.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka paralajmëruar zgjedhje të reja nëse partia partnere e koalicionit qeverisës, AAK-ja, kushtëzon qëndrimin në koalicion me përkrahjen e kandidatit të saj për president. AAK-ja megjithatë nuk e ka quajtur kushtëzim, porse ka thënë se nëse nuk votohet Haradinaj për president, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.

Deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj, ka thënë për KOHËN se gjithçka varet sesi do të votojnë partnerët e koalicionit.
Ai ka thënë se nuk duan ta komentojnë deklaratën e të parit të LDK-së, porse partia e tij e ka dhënë propozimin.
“Propozimi ynë nuk është kushtëzim, ne e kemi propozimin tonë dhe është çështje e partnerëve se si do të vendoset. Nëse vendi shkon në zgjedhje, shkon për shkak se nuk merr përkrahje propozimi ynë, nëse merr përkrahje atëherë në rregull jemi”, ka thënë ai.

Mustafa në një intervistë për “EuroNews Albania” ka thënë se është jo parimore që posti i presidentit të kushtëzohet.
Ai ka thënë se për postin e presidentit duhet të ketë bashkëbisedim edhe me subjektet tjera, përfshirë partitë opozitare, Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje. Ka shtuar se me PDK-në është më e lehtë të bisedohet se me VV-në.

“Unë mendoj se do të ishte, dhe është jo parimore që ajo të kushtëzohet. Nëse vijmë tek kushtëzimi, e prishim qeverinë, shkojmë në zgjedhje dhe nuk kemi alternativë tjetër se do të ishte gabim. Po flas për parimet, sepse nuk mund të shkojmë me një qëndrim të tillë që të votojmë presidentin për arsye se po na kushtëzojnë koalicionin. Nëse e kemi punën ashtu, atëherë shkojmë në zgjedhje”, ka deklaruar Mustafa të mërkurën.