“A riinfektohesh pas shërimit nga Covid-19”? Flasin ekspertët

Çështja e riinfektimit me Covid-19 është diskutuar gjatë, por pas shumë hamendësimesh ekspertët tani duken se kanë dalë në një përfundim më të qartë. Në Afrikën e Jugut, një studim zbuloi ri-infektime me mutacionin e shfaqur në këtë vend tek 2% e atyre që e kishin kaluar më parë sëmundjen. Edhe në Brazil janë dokumentuar raste të ri-infektimit me variantin e ri të koronavirusit.

Rreziku pra, nuk është i papërfillshëm. Specialistët ende nuk e kuptojnë përse në një pjesë të njerëzve, reagimi i organizmit ndaj virusit nuk ofron mbrojtje të mjaftueshme për të ardhmen. Një studim në Shtetet e Bashkuara arrin në përfundimin se rreth 10% e marinsave që ishin infektuar më parë dhe u kthyen në stërvitje pasi rezultuan negativë, u infektuan për herë të dytë.

“Me sa duket, ri-infektimi mund të ndodhë. Nuk mendoj se e kuptojmë plotësisht përse ndodh kjo, përse nuk krijohet imunitet pas infektimit të natyrshëm. Duket se kjo ndodh tek një pakicë njerëzish dhe se në shumicën e popullatës shfaqet një sasi e mirë antitrupash, por kjo nuk ndodh tek të gjithë,” thotë imunologu E. John Wherry.

Mjekët në Afrikën e Jugut u shqetësuan në fund të vitit të kaluar kur vunë re një shtim të rasteve, ndër to edhe tek individë që e kishin kaluar më parë infeksionin me koronavirus. Disa prej rasteve të reja ishin me mutacionin e virusit të shfaqur në këtë vend që është shumë më ngjitës dhe nuk duket se reagon aq mirë ndaj mjekimeve ekzistuese.