A po shkon vendi drejt një izolimi të dytë? Ja cfarë thotë Milena Stevanoviq drejtoreshë në Spitalin Infektiv

Muaji tetor solli shifra shqetësuese të të infektuarve me Covid-19. Por sipas autoriteteve shëndetësore vendin e pret një Covid-skenar edhe më i keq. Situata në periudhën në vazhdim mund të eskalojë thotë për REL Milena Stevanoviq, drejtoreshë në Spitalin Infektiv.

“Unë personalisht nuk mund të them se ky është piku dhe do të ishte e papërgjegjshme, por mundësia që infektimi të eskalon edhe më shumë të përhapet ekziston. Në të gjithë botën kemi rritje të rasteve. Ne nuk kemi pasur në asnjë moment zvogëlim drastik të numrave, në vazhdimësi kishim rritje. Pra nuk kishim pushim në të gjithë pandeminë me Covid-19. Pra nuk do të thosha se ky është piku, na presin muaj serioz, për të çka edhe kishim frikë gjatë verës”, deklaroi Milena Stevanoviq – Drejtoreshë e Infektologjisë.

Ministria e Shëndetësisë gjatë ditës së sotme ka apeluar te qytetarët që të respektojnë masat për mbrojtje ndaj koronavirusit. E nëse trendi i rritjes së të infektuarve me Covid 19 vazhdon, Komisioni për Sëmundjet Infektive do t’i propozojë qeverisë masa të reja.

“Nëse numri i të infektuarve rritet, komisioni për sëmundje infektive paralajmëroi se që nesër Qeverisë do t’i rekomandojë pako shtesë me masa restriktive. Kufizimi i qytetarëve në transportin publik deri në 50%, ndalesë për çfarëdo lloj ngjarjeje dhe të gjithë operatorët e konomik dhe subjektet do të punojnë deri në orën 23”, theksoi Bogdana Kuzeska – zëdhënëse e LSDM-së.

Fajin për rritjen e rasteve pozitive me korona opozitarja VMRO-DPMNE, ia hedh qeverisë, duke shtuar se Komisioni për sëmundje infektive sjell masa anti-covid në favor të kryeministrit Zaev.

“Na duhet një komision jopartiak të përbërë nga profesionistë, i cili nuk do të punojë sipas kërkesave të Zoran Zaev dhe Venko Filipçe. Na duhet komision i cili në të vërtetë do të rekomandojë masa që do të ndikojnë në zvogëlimin e numrit të të infektuarve. Nëse ky komision nuk ndërrohet do të duhet të bartin përgjegjësi për situatën”, potencoi Dimçe Arsovski – zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Nga e hëna, Kuvendi do të votojë për masat e propozuara deri më tani, duke përfshirë mbajtjen e detyrueshme të maskave mbrojtëse në hapësira të hapura, kufizimin e numrit të mysafirëve dhe ndalesën për grumbullim pas orës 22. Përndryshe numri i përgjithshëm i të diagnostikfikuarve në vendin tonë që nga fillimi i epidemisë është 23.201, ndërsa aktualisht numri i rasteve aktive është 5.266.