Mjekët dhe specialistët e rinj edhe më tej e presin pagën e premtuar. Edhe pse kishin premtime se këtë muaj nëpër llogaritë e tyre do të lëshohen mjetet për punën e kryer, megjithatë pagesa nuk është realizuar.
Bëhet fjalë për 700 persona të cilët presin nga 24 mijë denarë në muaj. Nga Asociacioni i mjekëve dhe specialistëve të rinj thonë se kërkojnë program nacional me të cilin do të parashihet largimi i kuadrove jashtë vendit dhe motivimi i mjekëve të rinj që të mbeten në vend.
Planifikim i punësimeve në etapa, shpallje të rregullt për specializime, e tërë kjo duhet të kompensohet financiarisht në mënyrën përkatëse pasi kolegët specializimin e bëjnë pa para, punojnë pa para, bëjnë kujdestari pa para, dhe me këtë ne kemi problem shumë serioz tek mjekët e rinj”.
Nga asociacioni paralajmërojnë se nëse shteti nuk i paguan këto mjete, atëherë edhe ajo pjesë e vogël e mjekëve të rinj do të largohen nga vendi, ndërsa Maqedonia mund të mbetet pa specialistë. Deri në vitin 2020, gjithsej dy mijë specialist të punësuar në shëndetësinë publike do të dalin në pension. Një pjesë e spitaleve në vend tashmë ka filluar t’i ndjejë pasojat e largimit të këtij kuadri. Dje nga spitali i Velesit janë ankuar se kanë mungesë prej 15 mjekëve dhe rreth 30 infermiereve. Gjithashtu, për shkak numrit më të vogël të personelit është zvogëluar edhe numri i operacioneve. Nga Ministria e shëndetësi nuk japin përgjigje konkrete nëse këtë muaj mjekët dhe specialistët e rinj do t’i marrin paratë e premtuara. Edhe pse kërkuam qëndrim nga ky dikaster, përgjigje deri në këto momente nuk morëm. Përgjigje nuk ka as për atë se a do të punësohen mjekë dhe infermiere të reja në spitalet ku ka mungesë të personelit.