A po paguan ndonjë vend në rubla dhe cilat janë alternativat ndaj gazit rus?

Rusia thotë se nuk po eksporton më gaz në Poloni dhe Bullgari pasi vendet refuzuan të paguajnë për furnizimet e tyre në rubla. Dhe për këtë, Bashkimi Evropian ka thënë se e konsideron këtë si një formë shantazhi, raporton BBC.

Por si e ka ndalur Rusia rrjedhjen e gazit?
Pavarësisht agresionit në Ukrainë, Rusia ka vazhduar të eksportojë një sasi të madhe gazi në shumë vende evropiane.
Megjithatë, kur fuqitë perëndimore vendosën sanksione financiare ndaj Rusisë, presidenti rus Vladimir Putin njoftoi se vendet “jomiqësore” do të duhet të paguajnë për gazin me monedhën ruse.

Kështu, kompania energjike në pronësi ruse, Gazprom, thotë se ka ndërprerë furnizimet për Poloninë dhe Bullgarinë dhe nuk do t’i rifillojë ato derisa pagesat të bëhen në rubla. Siç supozohet, pagesat në rubla do të mbështesnin monedhën ruse dhe do të përfitonte ekonomia e vendit.

Kush po paguan në rubla?
Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, paralajmëroi se përmbushja e kërkesave ruse do të shkelte sanksionet e BE-së dhe do të ishte “rrezik i lartë” për kompanitë që e bëjnë këtë.

Në këtë drejtim, kompanitë e gazit në disa vende të BE-së, përfshirë Gjermaninë, Hungarinë dhe Sllovakinë, kanë rënë dakord të paguajnë gazin në euro përmes bankës ruse Gazprombank, e cila më pas do t’i konvertojë pagesat në rubla. Financial Times ka raportuar se kompanitë e gazit në Austri dhe Itali po planifikojnë gjithashtu të hapin llogari me Gazprombank.

BE-ja tha javën e kaluar se nëse blerësit e gazit rus mund të kryejnë pagesat në euro dhe të marrin konfirmimin e kësaj përpara se të ndodhte ndonjë konvertim në rubla, kjo nuk do të shkelte sanksionet. Megjithatë, ka pikëpamje të ndryshme midis vendeve se si të interpretohen udhëzimet e saj fillestare dhe diplomatët e BE-së kanë thënë se duan më shumë qartësi mbi këtë çështje.

Sa e furnizon Rusia me gaz Evropën?
Në vitin 2019 Rusia përbënte 41% të importeve të gazit natyror në BE.
Nëse furnizimet me gaz rus në Evropë do të mbaronin, Italia dhe Gjermania do të ishin veçanërisht të cenueshme, pasi importojnë pjesën më të madhe të sasisë së gazit.

Veç kësaj, Rusia siguron vetëm rreth 5% të furnizimeve me gaz në Mbretërinë e Bashkuar, dhe SHBA-ja nuk importon gaz rus, raporton BBC. Siç bëhet e ditur, Rusia dërgon gaz në Evropë përmes disa tubacioneve kryesore. Gazi mblidhet në qendrat rajonale të magazinimit dhe më pas shpërndahet në të gjithë kontinentin.

Magazinimi i gazit në Poloni është rreth 76% i mbushur, por ai i Bullgarisë është rreth 17%.
“Kjo nuk është një çështje afatshkurtër, problemi do të jetë dimrin e ardhshëm, kështu që është thelbësore për të rimbushur magazinimin”, thotë analisti i politikave energjetike Simone Tagliapietra.

Cilat janë alternativat ndaj gazit rus?
Bullgaria ka bërë të ditur se po kërkon të rrisë importet e gazit nga Azerbajxhani, si dhe të bëjë marrëveshje me Turqinë dhe Greqinë. Zëvendësministri i Jashtëm i Polonisë i tha BBC-së se kishte “opsione për të marrë gazin nga partnerë të tjerë”, duke përfshirë SHBA-në dhe vendet e Gjirit.

Ndërsa Evropa mund t’ju drejtohet eksportuesve ekzistues të gazit si Katari, Algjeria apo Nigeria, por ka pengesa praktike për zgjerimin e shpejtë të prodhimit. Nga ana tjetër e Atlantikut, Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord të dërgojnë 15 miliardë metra kub shtesë gaz natyror të lëngshëm (LNG) në Evropë deri në fund të këtij viti.

Evropa gjithashtu mund të rrisë përdorimin e burimeve të tjera të energjisë, por ta bësh këtë nuk është e shpejtë apo e lehtë. Veç kësaj, BE-ja ka propozuar një plan për ta bërë Evropën të pavarur nga lëndët djegëse fosile ruse përpara vitit 2030 – duke përfshirë masat për të diversifikuar furnizimet me gaz dhe për të zëvendësuar gazin në ngrohje dhe prodhimin e energjisë.

Çfarë sanksionesh ka për naftën dhe gazin rus?
Sipas shkrimit të BBC, SHBA-ja ka shpallur një ndalim të plotë të importeve ruse të naftës, gazit dhe qymyrit.
Gjithashtu edhe Mbretëria e Bashkuar do të heqë gradualisht naftën ruse deri në fund të vitit dhe BE-ja po redukton importet e gazit me dy të tretat.

Por Rusia ka paralajmëruar se ndalimi i naftës së saj do të çonte në “pasoja katastrofike për tregun global”.
Sidoqoftë, pavarësisht sanksioneve, që nga fillimi i luftës, Rusia pothuajse ka dyfishuar të ardhurat e saj nga shitja e lëndëve djegëse fosile në BE, sipas Qendrës për Kërkime për Energjinë dhe Ajrin e Pastër, pasi çmimet e naftës dhe gazit janë rritur.

Sa eksporton naftë Rusia?
Rusia është prodhuesi i tretë më i madh në botë, pas SHBA-së dhe Arabisë Saudite.
Ky vend eksporton rreth pesë milionë fuçi naftë të papërpunuar çdo ditë, më shumë se gjysma shkoi në Evropë, përpara se të shpalleshin sanksionet. Veç kësaj, importet ruse përbënin 8% të kërkesës totale për naftë në Mbretërinë e Bashkuar dhe 3% të kërkesës së SHBA-së.

Po furnizimet alternative të naftës?
Analisti i kërkimit, Ben McWilliams thotë se duhet të jetë më e lehtë për të gjetur furnizues alternativë për naftë se sa për gaz, sepse derisa disa vijnë nga Rusia, “ka edhe shumë dërgesa nga vendet e tjera”. Disa anëtarë të IEA-s kanë lëshuar ekuivalentin e 120 milionë fuçive nga rezervat e naftës – publikimi më i madh i rezervave në historinë e saj.

Presidenti amerikan, Joe Biden, urdhëroi një lëshim të madh të naftës nga rezervat e Amerikës në një përpjekje për të ulur kostot e larta të karburantit. SHBA-ja gjithashtu dëshiron që Arabia Saudite të rrisë prodhimin e saj të naftës dhe po shikon lehtësimin e sanksioneve ndaj naftës së Venezuelës.

Çfarë do të ndodhë me faturat e ngrohjes dhe karburantit?
Konsumatorët do të përballen me rritjen e faturave të energjisë dhe karburantit. Çmimet e ngrohjes – tashmë të larta – ka gjasa të rriten edhe më shumë nëse Rusia kufizon eksportet e gazit në Evropë. Në Mbretërinë e Bashkuar, për shembull, faturat e energjisë shtëpiake janë mbajtur nën kontroll nga një kufi i çmimit të energjisë. Por faturat u rritën me 834 euro në rreth 2,384 euro në prill kur kufiri u rrit. Ato pritet të arrijnë rreth 3,557 euro kur kufiri të rritet sërish këtë vjeshtë. /Telegrafi/