A pati dhunë ndaj 2-vjeçarit në çerdhen “Xixëllonjat”? Drejtoresha: Gishtat në fytyrë ndoshta i kanë mbetur nga gjumi

Sot u raportua rreth një dyshimi për dhunë ndaj një fëmije në institucionin parashkollor “Xixëllonjat” në Prishtinë. Sipas raportimit të fundit, një edukatore ka përfunduar dje në Polici, pas denoncimit për dhunë të nënës së një fëmije.

Nëna e fëmijës 2-vjeçar ka raportuar në Polici se mësuesja e ka rrahur djalin e saj, të cilit i ka shkaktuar lëndime.

Në lidhje për këtë rast, Sinjali ka kontaktuar drejtoreshën e këtij institucioni, Mimoza Morina – Veseli.

Morina-Veseli tha se nuk qëndrojnë pretendimet e nënës së 2-vjeçarit pasi sipas dëshmisë së edukatores, nuk është ushtruar dhunë ndaj fëmijës.

“Edukatorja e as nëna nuk e kanë vërejt se çka ka fëmija deri në momentin kur e ka marrë nëna nga kopshti. Fëmija ka dalë nga dera e hyrjes dhe e ka vërejt nëna që djali ka shenja në fytyrë, nëna është kthyer tek edukatorja dhe i ka thënë se dyshoj që i ke ushtru dhunë fizike sepse po dyshoj që janë shenja të gishtave.

Në fakt, kanë qenë shenja të gishtave por sipas matjeve në polici dhe të ekspertëve bashkë me ta kam qenë edhe është mbetë me policët hetues që ekspertiza ta jap fjalën e fundit. Por, sipas shenjave të para që janë, ajo është dora e fëmijës sepse përshtatet 100% me dorën e fëmijës. Sipas të gjitha gjasave nuk është e vërtetë për atë se çka nëna dyshon”, u shpreh ajo.

Ajo shtoi se 2-vjeçari është në fazë të adaptimit dhe prandaj mund të ketë momente që nuk gjen rehati gjatë kohës së gjumit.

“Fëmija është në fazë të adaptimit, ka qenë i shtrirë në shtrat në kohën e gjumit. Ne, nëpër çerdhe nuk përdorim jastëk, fëmijët derisa të mësohen me fjetë kogja shumë shprehin vështirësi për shkak të ndrrimit të ambientit , ndrrim i vendit, dyshekut e gjithçka tjetër. Shpesh herë i përdorin duart ose i fusin brrylat ndër kokë”, shtoi ajo.

E njëjta tha se në institucion ka kamera të sigurisë të cilat pritet t’i marrë si dëshmi Policia e Kosovës.

Megjithatë sipas saj, në dhomat e gjumit nuk ka kamera kjo për arsye të ruajtjes të privatësisë së fëmijëve.