A mundet që një vrasës i Kremlinit të ekzekutojë Putinin?


Nga Nigel Jones, SPECTATOR

A mundet që një vrasës ta ekzekutojë Putinin? Ashtu siç Lufta e Dytë Botërore nuk do të kishte ndodhur pa vullnetin dhe veprimet djallëzore të Adolf Hitlerit, ashtu edhe pushtimi i Ukrainës- dhe gjakderdhja e tmerrshme dhe mjerimi i papërshkrueshëm njerëzor- është një luftë e Putinit. A mund të ndalet ai? Lajmi i keq është se shanset nuk duken të mira për momentin.

Putini ruhet 24/7 me detajet më të forta të sigurisë në botë. Ai thuajse është i mbyllur në një flluskë. I gjithë aksesi te ai kontrollohet rreptësisht- pothuajse në mënyrë maniake- njësoj si me Stalinin dhe Hitlerin.

Shanset e një vrasësi të vetmuar nga jashtë- si Fanny Kaplin, një grua nga hebrenjtë e Ukrainës, e cila qëlloi tre plumba në vitin 1918 në drejtim të liderit bolshevik Lenin, duke e sakatuar dhe përfundimisht duke e çuar drejt vdekjes diktatorin sovjetik- për të arritur te diktatori, janë zero.

Nëse Putini do të ndalet, rrëzohet, arrestohet apo vritet, autorët e një përpjekje të tillë duhet të vijnë nga brenda klikës që e rrethon. Kohët e dëshpëruara sjellin edhe metoda të dëshpëruara dhe vetëm kur klika mendon se e ardhmja e tyre rrezikohet drejtpërdrejt nga veprimet gjithnjë e më të rrezikshme të Putinit, ka të ngjarë që të veprojë.

Putini i ka poshtëruar tashmë publikisht anëtarët e rrethit të ngushtë duke i kritikuar kur ata kanë ngritur edhe pyetjet më të buta rreth veprimeve të tij. Ata nuk mund të kenë shumë dashuri për këtë njeri jashtëzakonisht të padashur. Por a do të kapërcejnë dyshimet e tyre për të mbi frikën për të ardhmen e tyre?

Historia është e mbushur me shembuj të atentateve të suksesshme të kryera nga njerëzit e afërt të pushtetarëve diktatorialë. Jul Cezari, natyrisht u vra nga anëtarët e Senatit Romak; perandorë të shumë romakë si Kaligula u vranë nga rojet e tyre pretoriane dhe të paktën një- Klaudi- ndoshta u helmua nga gruaja e tij Agrippina.

Në kohët moderne, mbreti Faisal i Arabisë Saudite u vra në vitin 1975 nga vetë nipi i tij, ndërsa kryeministrja e Indisë, Indira Gandhi u qëllua për vdekje në vitin 1984 nga truprojat e saj Sikh, të indinjuar nga sulmi i saj në tempullin e tyre të shenjtë në Amritsar.

Në fund të sundimit të tij 30-vjeçar, një Stalin i sëmurë dhe i plakur ishte bërë kaq psikotik, saqë kishte arrestuar dhe torturuar mjekët e tij me dyshimin se po e helmonin dhe kërcënonte me jetë miqtë dhe kolegët e tij në Byronë Politike. Ka prova të konsiderueshme se njëri prej tyre, shefi i policisë sekret sovjetike, Lavrenti Beria, veproi pa mëshirë për të shpëtuar lëkurën e tij duke helmuar në të vërtetë shefin e tij- duke përdorur helmin e miut varfarin- çka i shkaktoi goditjen në tru dhe i dha fund jetës së tmerrshme të Stalinit më 5 mars 1953. Vetë Beria u mburr me krenari për këtë veprim, duke u thënë shokëve të tij: “Unë e bëra! U shpëtova jetën të gjithëve”.

Spekulimet për vrasjen e Putinit mund të duken të supozuara, por siç tregon historiani i shquar, profesori Michael Burleigh në studimin e tij, vrasja e liderëve politikë nga Jul Cezari deri në ditët e sotme ka qenë një mënyrë shumë më e zakonshme për t’i dhënë historisë një shtytje të dobishme sesa zgjedhjet apo zhvillimet abstrakte sociale dhe ekonomike.

Kur të gjithë vendimmarrjet janë përqendruar në duart e një sunduesi të vetëm të gjithëfuqishëm, si me Putinin, vetëm largimi fizik i tiranit mund t’i japë fund tiranisë dhe të heqë rrezikun që ai paraqet. Por ndoshta duhet të kemi kujdes se çfarë dëshirojmë. Vdekja e parakohshme e Leninit hapi rrugën për ngritjen drejt pushtetit suprem të modelit të Putinit, Jozef Stalinit.

Vrasjet mund të fillojnë gjithashtu luftëra- më e famshmja është vrasja e arkidukës së Austrisë, Franz-Ferdinand nga Gavrilo Princip në vitin 1914, që përshpejtoi Luftën e Parë Botërore- por ato edhe mund t’i japin fund. Nëse njëra nga dy bombat që iu afruan vrasjes së Hitlerit në nëntor 1939 dhe korrik 1944 do të kishin sukses në qëllimin e tyre, nuk ka dyshim se Lufta e Dytë Botërore do kishte përfunduar më herët dhe do kishin shpëtuar miliona jetë.

Më pak e njohura, por ndoshta më e rëndësishme për presidentin Putin në rrethanat aktuale, me njohuritë e tij të ngushta të historisë së Rusisë, është vrasja e suksesshme e Car Palit I në kështjellën e Shën Mikelit në Shën Petersburg në mars 1801. Ashtu si Putini, gjithnjë e më ekscentrik, edhe Cari i izoluar kishte tjetërsuar rrethin e zyrtarëve ushtarakë dhe civilë që e rrethonin me vendimet e tij të çrregullta në politikën e jashtme. Pakënaqësia e tyre arriti kulmin me një komplet që përfundoi me hyrjen e tyre në banesën e Palit ku edhe e mbytën. Ai u pasua nga djali i tij, Aleksandri, i cili përfundimisht i dha fund aleancës së Palit me Napoleonin dhe rrëzoi perandorin e tërbuar francez.

Pra, nëse rrethi i ngushtë i gjeneralëve dhe burrave të korruptuar mbi të cilët mbështetet pushteti i Putinit janë mjaftueshëm të alarmuar nga rrjedha gjithnjë e më kaotike e luftës së Ukrainës- dhe reagimi i tmerrshëm i botës ndaj saj, a ka shansin më të vogël që ata të marrin një fletë nga libri i skenarëve të Berias dhe Car Palit dhe t’i japin fund krizës duke u përplasur me shefin e tyre?

Ndërsa opsionet e hapura për kleptokratët dhe ish-policët sekretë që Putini ka mbrojtur dhe promovuar, po vijnë duke u kufizuar, edhe zemërimi i popullit rus rritet. Shpresa më e mirë për t’i dhënë fund kësaj krize mund të jetë te njerëzit që veprojnë për të rrëzuar diktatorin më të keq dhe ndoshta të çmendur që po i çon ata dhe Rusinë në humnerë.

Putini i tha një herë një gazetari në një intervistë të filmuar se ai kishte mësuar një mësim të vlefshëm për pushtetin në rininë e tij, kur futi në cep një mi në bllokun e apartamenteve ku ai u rrit. Në vend që të nënshtrohej, miu kërceu në fytyrën e tij dhe e sulmoi. Është koha që minjtë në Kremlin të mësojnë të njëjtin mësim.