A mund të mbijetojë Evropa nëse Rusia ndërpret furnizimin me gaz?

Përshkallëzimi i tensioneve midis Perëndimit dhe Rusisë mbi Ukrainën ka ngritur shqetësime për rrjedhat e gazit rus në Evropë, duke nxitur Komisionin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të kërkojnë furnizimet alternative.

Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar javën e kaluar, presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen dhe presidenti i SHBA-së, Joe Biden u zotuan për bashkëpunim të ngushtë për sigurinë e energjisë.

Dhe pas një takimi të fundit me ministrat evropianë të energjisë në Francë, Komisioneri i Energjisë, Kadri Simson tha se blloku po bisedon me partnerë si Azerbajxhani për potencialin për rritjen e furnizimeve me gaz në kontinent.

Nëse në skenarin më të keq gazi rus ndalon plotësisht rrjedhjen në Evropë, masat për të zëvendësuar furnizimin nuk do të jenë të mjaftueshme, sipas një studimi të institutit “Bruegel” me qendër në Bruksel, i publikuar javën e kaluar, shkruan Euronews, përcjell Telegrafi.

Ai arrin në përfundimin se ka dy sfida për Evropën: gjetja e një zëvendësimi për furnizimet me gaz rus dhe frenimi i kërkesës brenda vendit për të përballuar stuhinë, ekonomike dhe sociale.

Një nga autorët, Simone Tagliapietra, tha për Euronews se Evropa mund të shkojë drejt një skenari të krizës së naftës të stilit të viteve 1970.

“Disa fabrika mund të kenë nevojë të operojnë në një orar më të shkurtër prodhimi ose të mbyllen plotësisht”.

Dhe qeveritë mund të kenë nevojë të krijojnë një plan emergjence për t’u dhënë përparësi përfituesve të gazit – për shembull, për “ngrohjen në shtëpitë e banimit ose për prodhimin e energjisë elektrike” për të shmangur ndërprerjet.

Po sikur furnizimet me gaz rus të ndërpriten në muajt në vijim?

Në këtë drejtim, siç thuhet më tej, ekzistojnë tre skenarë:

Nëse Rusia dhe të gjithë furnizuesit e tjerë vazhdojnë të furnizojnë në nivelet aktuale, magazinimi në mbarë BE-në do të arrinte një minimum prej rreth 320 teravat-orë (TWh) në prill të vitit 2022.

Nëse Rusia shkurton furnizimet në fillim të shkurtit, magazinimi do të arrijë një nivel minimal prej 140 TWh në prill të vitit 2022.

Nëse përveç ndërprerjes së furnizimit nga Rusia, moti është jashtëzakonisht i ftohtë, atëherë magazinimi në mbarë BE-në do të jetë bosh deri në fund të marsit 2022.

Prandaj, në afat të shkurtër, BE-ja ka të ngjarë të jetë në gjendje t’i mbijetojë një ndërprerjeje dramatike të importeve të gazit rus.

A mundet sistemi evropian i tubacioneve të mbajë furnizime shtesë të gazit?

Po dhe jo. Gadishulli Iberik, për shembull, është një qendër për terminalet e importit LNG (gaz natyror i lëngshëm; gaz që është ftohur në lëng për lehtësinë dhe sigurinë e magazinimit dhe transportit).

Si rezultat, rajoni mund të importojë 40 TWh në muaj, por mund të konsumojë vetëm 30 TWh.

Sfida është transportimi i gazit të tepërt në pjesën tjetër të Evropës, duke qenë se tubacionet ekzistuese lejojnë një transferim maksimal prej 5 TWh në muaj, shkruan Euronews, përcjell Telegrafi.

Për më tepër, sistemi i tubacioneve të Evropës Qendrore dhe Lindore është projektuar për të sjellë importet nga lindja te konsumatorët e fundit.

Me gjithë investimet në kapacitetet e rrjedhës së kundërt dhe tubacionet e reja, nëse do të vinte shumë gaz nga perëndimi, pengesat e tubacioneve mund të pengonin dërgesat e mjaftueshme në pjesët më lindore të BE-së ose Ukrainës.

Cilat opsione të tjera furnizimi do të ishin në dispozicion?

Në parim, infrastruktura ekzistuese lejon vëllime shtesë importi nga Norvegjia dhe Afrika e Veriut, dhe vëllime shtesë të LNG, të cilat së bashku mund të zhvendosin importet aktuale nga Rusia.

Por ndërsa të kesh infrastrukturë është një gjë, të kesh gaz është një gjë tjetër.

Norvegjia tashmë ka njoftuar se po jep sa më shumë që mundet në BE dhe se tregjet globale të LNG-së janë shumë “të kufizuara” – tha Algjeria diçka të ngjashme.

Veç kësaj, prodhimi vendas i gazit të BE-së është i kufizuar, si në Holandë ashtu edhe gjetkë.

Në anën tjetër Uashingtoni aktualisht është duke negociuar me Katarin për furnizimin me gaz në Evropë.

Katari është një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të LNG. Ai shet tre të katërtat e prodhimit të saj në vendet aziatike dhe siguron rreth pesë për qind të gazit në Evropë.

Po sikur furnizimet me gaz rus të ndërpriten për vite?

Për të kaluar gjysmën e dimrit pa importe ruse mund të jetë e vështirë, por drejtimi i ekonomisë evropiane për disa vite pa gazin rus do të ishte jashtëzakonisht sfidues.

Ndërsa ka më shumë kohë për t’u përgatitur, ka edhe vëllime shumë më të larta për t’u zhvendosur.

Në vitin 2021, eksportet e gazit natyror rus në BE arritën në rreth 1700 TWh – kjo do të duhej të zëvendësohej nëse Rusia ndalonte plotësisht eksportet e gazit natyror në Evropë.

BE-ja ka kapacitet rezervë të importit prej rreth 1,800 TWh nga furnizuesit alternativë. Kjo teorikisht mund të lejojë BE-në të zëvendësojë tërësisht flukset ruse.

Por në rastin më të mirë do të ishte shumë e shtrenjtë, dhe në rastin më të keq fizikisht dhe politikisht e pamundur.