A mund të infektohemi dy herë nga COVID-19? Ekspertët shuajnë dilemat

Ekspertët thonë se infektimi sërish nga koronavirusi është i mundur, por nuk dihet se sa shpesh mund të ndodhë një gjë e tillë.

Kohët e fundit studiuesit në Hong Kong publikuan prova mbi një person që u prek nga koronavirusi për herë të dytë, disa muaj pas infektimit për herë të parë të tij.

Gjetjet nuk janë botuar në ndonjë revistë mjekësore. Shkencëtarët thanë se personi i seksit mashkull, 33-vjeç kishte simptoma të lehta herën e parë dhe asnjë simptomë herën e dytë, duke sugjeruar se sistemi i tij imunitar mund t’i ketë siguruar një lloj mbrojtje kundër sëmundjes së rrezikshme edhe pse nuk mundi ta parandalonte infektimin sërish.

Infektimi i tij për herë të dytë nga koronavirusi u zbulua përmes testimit në aeroportin e Hong Kongut.

Ndërkohë janë raportuar edhe disa raste të tjera të mundshme infektimi për herë të dytë, përfshirë një shtetas amerikan i cili herën e dytë u sëmur më rënde sesa herën e parë.

Edhe nëse njerëzit mund të preken sërish nga koronavirusi, Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se gjasat janë që kjo të mos ndodhë rregullisht.

Ekspertët e shëndetit publik thonë se në përgjithësi ata besojnë se njerëzit që e kanë kaluar një herë sëmundjen, mund të fitojnë imunitet ndaj një infeksioni të ri me koronavirus. Por ata nuk e dinë se sa mbrojtje mund të sigurojë kjo gjë dhe deri kur mund të zgjasë.

Ekspertët shtojnë se kjo gjë kërkon vëmendje pasi nëse imuniteti humbet efektivitetin, mund të përbëjë një sfidë për vaksinat. Disa ekspertë thonë se në këtë rast do të ishin të nevojshme vaksinimet përforcuese.

Gjithashtu është e paqartë nëse ata persona që janë infektuar sërish do të mund ta përhapnin virusin tek të tjerët. Kjo është një tjetër arsye pse shkencëtarët thonë se njerëzit duhet të vazhdojnë të mbajnë maska, distancë fizike dhe të ruajnë higjienën./ VOA