A mund të falimentojë Posta e Maqedonisë? S’ka qarkullime pagesore, humb 110 milionë denarë të hyra në muaj

“Në një ditë të zakonshme Postat e Maqedonisë kanë kryer nga 60 deri në 80 mijë transaksione bankare në ditë. Me falimentimin e Bankës Eurostandard, numri i transaksioneve tani për tani është zero. Shumica e filialeve janë mbyllur për shkak se nuk kanë se çfarë të punojnë, ndërsa ato që mbeten të hapura, siç është kjo në qendër të Shkupit, merren vetëm me dërgesën e letrave”, Besir Arifi, gazetar.

Puna me dërgesat e letrave dhe pakove brenda dhe jashtë vendit vazhdon normalisht, por ajo që ka revoltuar qytetarët është pamundësia për të paguar rrymën, ujin, shërbimet komunale e të pagesa të tjera.
“Puna në postë tërësisht është zvogëluar sepse qarkullimi pagesor nuk na funksionon, punojmë vetëm me dërgesa. Qytetarët reagojnë, kërkojnë që sa më shpejtë të vendoset bashkëpunim me ndonjë bankë sepse janë mësuar me shërbimet tona”, tha Zhaklina Spiridinovska, nëpunëse në Postë.

Kohëve të fundit postës puna nuk i ka ecur aspak mbarë. Raporti i fundit i Entit Shtetëror për Revizion tregoi se që nga viti 2012 Posta punon me humbje në vlerë prej rreth 10 milionë eurove. Pandemia paralizoi dërgesat ndërkombëtare, çka solli vetëm humbje, ndërsa tani falimentimi i Bankës Eurostandard e ka rënduar gjendjen edhe më shumë.
“Kjo do të thotë minus 110 milion denarë në muaj më pak të hyra në postën e Maqedonisë së Veriut që është një goditje jashtëzakonisht shumë më e madhe”, deklaroi Ejup Rustemi, drejtor Gjeneral i Postës.

Por a mund që të gjitha këto të sjellin deri në falimentimin e Postës? Drejtori gjeneral Ejup Rustemi ka shpresë se kjo nuk do të ndodhë!
“Unë jam optimist dhe mendoj se nuk do të falimentojë. Posta përveç qarkullimit pagesor, kemi edhe shërbimin e dërgesave, të letrave dhe pakove dhe ne jemi duke vazhduar me atë veprimtari të cilën e ka posta. Kemi ndërmarrë të gjitha masat si këshill drejtues dhe si drejtor gjeneral të shohim një zgjidhje sa më të shpejt që të bëjmë një kontratë me ndonjë bankë tjetër afariste për të vazhduar qarkullimin pagesor”, tha drejtori Gjeneral i Postës, Ejup Rustemi.

Posta ka kërkuar pëlqim nga Qeveria e vendit si pronare, për nisjen e procesit që do të sillte firmosjen e një kontrate me ndonjë bankë, tregon Rustemi, duke shpresuar se ardhja e Qeverisë së re do të sjellë vendim. Kryeministri Zoran Zaev premton për vendim të shpejtë.
“Mendoj se një pjesë e vendimeve si informacione të pranuara dhe dhënie drejtimi tashmë janë kryer nga qeveria parakrapke. Nëse sot janë gati përfundimet nga ato informacione paraprake ne menjëherë do të sjellim vendim që t’i inkurajojmë drejt procedurës që këto resurse mirë të zhvilluara ti vënë në dispozicion të bankave që do të japin kushtet më të mira, gjithsesi për Postat e Maqedonisë”, potencoi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Posta e Maqedonisë ka kryer qarkullime pagesore në emër të Bankës Eurostandard, deri sa kjo e fundit falimentoi. Zaev është i vetëdijshëm se procedura e falimentimit e Bankës Eurostandard do të reflektojë tek Posta. Pret që sanimi i pasojave të bëhet kur Banka të tjera të duan të bashkëpunojnë me Postën.