NATO ka refuzuar kërkesat e dy pjesëtarëve të Armatës së Maqedonisë së Veriut për të marrë certifikatë sigurie për qasje në informacione të klasifikuara.
Presidenti Stevo Pendarovski thotë se nga gjithsej 150 persona të ushtrisë e politikës, gjysma e tyre tashmë e kanë kaluar pozitivisht këtë proces, ndërsa pret që deri në 15 persona të refuzohen për të marrë certifikatë.
“Nga 29 marsi që kur jemi anëtarë, NATO kontrollon në dy baza. E para është nëse keni kontakte me, ata i quajnë, shtete malinje, entitete dhe individë, e përkthyer në gjuhën tonë, kjo do të thotë nëse keni dijeni për një person nëse eventualisht është i afërt me kanale apo komunikime spiunazhi, ndërsa e dyta është për korrupsion të lartë”, deklaroi Stevo Pendarovski – President i Maqedonisë së Veriut.
Njëri prej të refuzuarve është kandidati i Maqedonisë së Veriut pët përfaqësues kryesor ushtarak në selinë e NATO-s. Për të dytin nuk dihet, por Presidenti siguron se nuk është figurë nga politika.
Pa një certifikatë të këtillë të NATO-s askush nuk mund të emërohet në pozicione të rëndësishme shtetërore ku do të ishte afër informacioneve të klasifikuara, megjithatë profesori i sigurisë Marjan Gjoruvski sqaron se nga kjo nuk e humbin të drejtën për të vazhduar shërbimin në Armatë.
“Çfarëdolloj punësimi i oficerëve të Maqedonisë, para se të vijë në shërbim të Armatës së Maqedonisë së veriut, ka qenë në pozita të ndryshme të ndjeshme në kuadër të ish-Armatës Popullore të Jugosllavisë. Kjo me shumë gjasa është një prej arsyeve që nuk jepet certifikatë e NATO-s, nëse janë gjendur në pozita të ndjeshme por kjo nuk do të thotë që personin sot ta ekspozojmë në përndjekje publike apo ta humbë vendin e tij të punës”, potencoi Marjan Gjurovski – profesor i sigurisë.
Gjurovski thotë se nga mosmarrja e certifikatës nuk duhet të shihet sikur Armata e vendit është e mbushur me spiunë të shteteve armike ndaj NATO-s, përkundrazi shton se ky kontroll në mënyrë shtesë e përforcon profesionalizmin e sistemit.
Kjo do t’i departizojë dhe dekriminalizojë institucionet, andaj kërkon nga politika t’i mbajë duart larg sistemit të sigurisë dhe mbrojtjes. Pret që në të ardhmen, 500 deri në 600 zyrtarë të vendit të marrin certifikata të niveleve të ndryshme.
Procesin e kryejnë institucionet vendore. Formalisht procesin e udhëheq Drejtoria për Sigurinë e Informacioneve të Klasifikuara. Agjencitë e tjera të inteligjencës po ashtu kontribuojnë, e ndihmesë jep edhe NATO.