Ka pasur ose jo kompani e cila ka bërë mbikëqyrjen e spitaleve modulare që u montuan në mbarë vendin para se të fillojnë të pranojnë pacientë me Kovid. Kryeministri Zaev tha se ai nuk e di nëse shteti ka angazhuar kompani e cila duhet të bëjë mbikëqyrjen e objekteve që gjatë Pandemisë i montoi kompania Brako dhe Tom dhe Ari, përfshirë edhe atë në Tetovë e cila u dogj dhe i mori jetët e 14 personave.
“A keni informata nëse ka pasur mbikëqyrje? ;Nuk kam asnjë informatë. Si kryetar komune mund të them se objekte modulare të montuara janë të ndryshme nga objektet ndërtimore që janë me statikë, me gjithçka. Por, le të mos hyjmë në spekulime”, tha Zoran Zaev, kryeministër.
Nëse kryeministri nuk e di nëse ka pasur mbikëqyrje profesionale nga kompani e akredituar për të gjitha 19 spitalet modulare në mbarë vendin, ministri i Shëndetësisë në dorëheqje, Filipçe, një ditë pas tragjedisë në Tetovë për atë se kush, kur dhe si i ka kontrolluar objektet montuese tha:
Këto pjesë në lidhje me atë se cila është kompania dhe si u bë pranim-dorëzimi, do të jenë pjesë e hetimit dhe tani nuk do të doja të zbuloja informacione. Spitali i është dorëzuar spitalit në Tetovë, i rregulluar plotësisht sipas informacionit teknik”, tha Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.
Edhe pse ditë me radhë pas kësaj deklarate të Filipçes, ne pyetëm Ministritë e Shëndetësisë dhe Punës dhe Politikës Sociale, se cila është ajo kompani dhe nëse kishte fare ndonjë mbikëqyrje, nuk ka përgjigje. Derisa institucionet nuk i përgjigjen me këmbëngulje kësaj pyetjeje të Alsatit, prokuroria njoftoi se po e heton edhe në këtë pjesë – nëse dikush fare ka kryer mbikëqyrje eksperte në spitalet modulare, përfshirë atë që u dogj në Tetovë.
Kërkohet të sigurohen të dhëna në lidhje me personin që ishte përgjegjës për menaxhimin e ndërtimit, personin që kishte autoritetin për të mbikëqyrur ndërtimin e të njëjtit, të dorëzohet raport nëse është kryer pranim teknik dhe nëse po – kush e ka kryer atë”, thonë nga Prokuroria Publike.
Nuk ka asnjë informacion të detajuar nga institucionet, përveç informacionit nga Prokuroria e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, se ata kanë lëshuar urdhër për marrjen e dokumenteve të tenderit për montimin e spitaleve modulare për KOVID. Sipas informacioneve të Alsatit, Byroja e Prokurimit Publik duhet ta dorëzojë në prokurori dokumentacionin për tenderët për objektet modulare, ndërsa Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka afat deri të mërkurën ta dorëzojë të gjithë dokumentacionin. Pikërisht në faqen e internetit të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale janë publikuar marrëveshjet e lidhura me “Brako” dhe “Tom dhe Ari”, për montimin dhe pajisjen e spitaleve modulare. Edhe pse këto dokumente janë publike, nuk ka asnjë marrëveshje publike se cila kompani ka kryer mbikëqyrje eksperte mbi ato objekte, për të cilat kompania kontraktuese dhe Ministria e Shëndetësisë thanë se kishin vetëm të lëshime estetike.
Bojan Stojanovski