A ka myslimanë këtu?

Ose, si u dorëzua Kadri Veseli, bashkë me PDK’në, në momentin e parë që dikush e shtroi seriozisht pyetjen “kush e vuri këtë taksë?”

Sigurisht e keni dëgjuar atë rrëfimin për kasapin, që pasi që e kishte therur një kurban ishte futur brenda në xhami me duar të përgjakura deri në bërryla, gjatë kohës kur hoxha dhe besimtarët po e falnin namazin e Bajramit?

“A ka myslimanë këtu,” kishte bërtitur kasapi, derisa prej majës së thikës i pikonte gjaku i freskët. Besimtarët, të tmerruar e kishin kthyer shikimin në drejtim të tij, duke mos e ditur nëse ishte gjëja e duhur të përgjigjeshin në këtë pyetje, ani pse ata po faleshin në xhami.

“A ka myslimanë këtu a jo?”, e kishte përsëritur pyetjen edhe njëherë kasapi me duar të përgjakura, duke e shikuar hoxhën ngulë në sy.

“Unë punoj veç me rrogë këtu,” ishte përgjigjur imami i fshatit, gjithashtu i frikësuar, duke mos qenë as ai i sigurt se për çfarë arsye po shtrohej kjo pyetje nga një person me duar me gjak.

Ose, që ta kontekstualizojmë problemin, puna paskësh qenë kështu: PDK, e cila po qeveris me Kosovën pothuajse që nga Lufta e Dytë Botërore, kryetari i saj i lavdishëm, Kadri Veseli, bashkë me të gjithë eshallonin grabitqar të kësaj partie, në përbërje të 10 – 15 nënkryetarëve, me një kryesi prej disa dhjetëra vetash, nëse jo qindra zyrtarësh, e kanë mbështetur taksën e vendosur nga Qeveria e Kosovës, e vënë në mallrat serbe, kur për një gjë të tillë nuk kanë hasur në rezistencë nga SHBA, Bashkimi Evropian, Kina, India dhe Australia e largët. Madje, jo vetëm që e kanë mbështetur, por edhe kanë marrë përsipër. Aq shumë u frikësuan brenda kësaj partie që mos rastësisht po përfiton shumë në popullaritet Kryeministri Haradinaj, sa i madh e i vogël aty tregonte se si propozimi paskësh qenë saktësisht i tij, e jo i atij tjetrit.

Mirëpo, në momentin e parë që ‘me duar të përgjakura deri në bërryla’ është futur në zyrën e Veselit Ambasadori Amerikan dhe ka bërtitur “kush e ka vënë taksën”, edhe Veseli, e edhe njerëzit e tij, me gjysmë zëri i kanë treguar atij se “ata punojnë veç me rrogë”. Ndoshta jo aq nga dëshira, sa nga frika, ata gishtin e kanë drejtuar kah Qeveria e Kosovës. Dhe befasisht partia më e madhe në koalicionin qeverisës, ata që dalin e krekosën nëpër studio televizive se si të gjitha punët e mëdha dhe të guximshme që janë ndërmarrë në Kosovës janë vepër e tyre, konstatuan që “Zoti në qiell e Amerika në Tokë.” Pra, këta këtë gjë nuk e kanë ditur deri para tri-katër ditësh. Tek kur dyert e tyre u hapën vrundull nga Ambasadori Amerikan, u ra ndër mend se sa e fortë dhe se sa e rëndësishme është Amerika për ne.

Në këtë mënyrë, ajo çfarë kemi parë dhe çfarë kemi dëgjuar gjithë këto kohë nëpër televizione, se jo po Enver Hoxhaj e vuri taksën, se jo po Kadri Veseli e bëri atë 100 për qind sepse Ramushi donte të ishte vetëm 30 për qind, se jo po pa PDK’në nuk bëhet asgjë e mirë në këtë vend…, paskan qenë, siç ka pasë thënë një komandant i UÇK ‘së i zënë ngushtë në Hagë, “mediale z. Prokruror.” Kadri Veseli, bëri ç’nuk bëri gjithë këto kohe duke dashur që ta distanconte veten pak nga pak nga Hashim Thaçi, mirëpo atëherë kur të gjithë sytë dhe vëmendja ishin tek ai, atë e lëshuan gjunjtë, dhe e përsëriti atë çfarë Thaçi e thoshte tash e disa javë. Në këtë mënyrë ai ia bëri shërbimin më të keq karrierës së tij politike. Njerëzit e pavarur në Prishtinë, ata që nuk janë militantë partiakë, po t’i pyesje deri dje se çfarë mendonin për Veselin pak a shumë do të thoshin që “duket shumë më i fjalës se Thaçi.” Sigurisht që ky në vetvete nuk është ndonjë standard i admirueshëm, sepse çdo kush në Kosovë është njeri më i fjalës sesa Thaçi, por tash e tutje ka mundësi që për Veselin nuk do të thonë as aq – me të drejtë.

Sido që të jetë, lëkundja e PDK’së, respektivisht e Veselit, rreshtimi i tyre krah Thaçit, sipas të gjitha gjasave do ta fusë vendin në një cikël të ri politik. Gradualisht Kosova po shkon drejt një situate, që jo vetëm do të provokojë tensione politike, por edhe shumë më tepër. Askush me dy parë mend nuk e besoj që do të jetë aq naiv sa të pretendojë që ta riformatojë qeverinë, ta ndërtojë një koalicion tjetër, ta heqë qafe Kryeministrin Haradinaj, ta heqë qafe edhe taksën ndaj Serbisë, dhe të shpresojë që gjërat do të rrjedhin “business as usual.” Shkarkimi i Haradinajt, qoftë edhe me insistimin Amerikan, për ta hequr taksën, duke ia plotësuar një dëshirë qeverisë së Serbisë, është thirrja më fatale për të filluar dhuna në rrugët e Prishtinës. Tek e fundit, pra tek e fundit, përse Serbia nuk pranuaka që të dialogojë me Kosovën pa u hequr taksa? Pse Kosova po pranuaka të dialogojë me Serbinë, kur kjo e fundit nuk rresht së lobuari kudo në botë për t’u tërhequr njohjet? A nuk është e gjithë kjo bizare dhe e padrejtë? Nëse Kosovës po i bëhen kaq shumë padrejtësi, ende pa filluar ai dialogu i mirëfilltë, çfarë duhet të presim kur dy presidentët do të ngujohen në ndonjë kështjellë për të arritur një marrëveshje finale? Ose, nëse nuk po mund t’i themi JO Amerikës për taksën, a do të mund t’i themi JO Amerikës nëse na detyron të pranojmë çfarëdo marrëveshje me Serbinë – duke përfshirë edhe copëtim të territorit? Pra, cili është kufiri i skajshëm që ne do të themi JO, nëse na imponohet?

Pothuajse, për momentin çdo gjë është gabim. Edhe dialogu është gabim. Edhe heqja e taksës është gabim. Edhe ideja për një marrëveshje finale me Serbinë është gabim. Edhe ideja për një konferencë të madhe është gabim.

Kosova është futur në një betejë finale, atëherë kur pozitat në arenën ndërkombëtare i ka më të dobëtat. Në Shtëpinë e Bardhë gjendet presidenti më joamerikan që nga koha e George Washingtonit, që të mos flasim pastaj për këshilltarin e tij për siguri nacional, John Bolton, i cili po e udhëheq këtë proces. Këtyre të dyve, të gjitha institucionet e pavarura në Amerikë po u thonë JO, duke përfshirë këtu Gjykatën Supreme, FBI, Kongresin.

Prandaj, në krye të herës, Qeveria e Kosovës, me theks të veçantë PDK, do të duhej të kishte qenë e përgatitur për përplasje. Tash, përveç që do të kemi përplasje me jashtë, do të kemi edhe përplasje të brendshme. Kjo lojë nuk do të përfundojë aq shpejt, e aq thjeshtë sa po mendohet. Kosova nuk kishte arritur që të ndërtonte konsensus politik as për 8000 hektarë me Malin e Zi, e lëre më për 800 kilometra katrorë me Serbinë. Nëse klasa politike, nëse PDK dhe Presidenti i thonë PO çdo gjëje, PO nuk do të thonë edhe qytetarët.

Prandaj, Haradinaj duhet të vazhdojë të jetë kryeministër që e mbron Kushtetutën e vendit, deri në ditën kur nuk është më kryeministër. Ata që do ta largojnë nga aty, do ta marrin edhe përgjegjësinë. Thirrja për dorëzim pa kushte, nuk është asgjë tjetër përveçse thirrje për revoltë.

Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/oped/a-ka-myslimane-ketu-621066/?fbclid=IwAR2bCDGRSsixdB3K6WWABUd9mMJj4M49RzhO37C7fxqohwuE18BDcWPerKo?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright