A ka frikë Zaev nga bashkimi i opozitës?

Bashkëpunimi i paralajmëruar i opozitës maqedonase dhe asaj shqiptare, do të krijonte një front të bashkuar opozitar që do të përballej në të ardhmen me pushtetin.
Bashkëpunimi i mundshëm mes opozitarëve Mickoski-Sela-Gashi për zgjedhjet lokale vjen në kohë kur pushteti vazhdimisht paralajmëron se shumicës parlamentare mund t’i bashkëngjiten deputetë opozitarë.

Para më shumë se një muaji e paralajmëroi kreu i Besës, Bilall Kasami, por assesi të bëhet realitet. Drejtuesi i koalicionit “Mundemi”, kryeministri Zoran Zaev mendon se bashkëpunimi opozitar vetëm se do të rriste mbështetjen për pushtetin.
“Unë nga kjo shoh interes për vëmendje më të madhe të qytetarëve ndaj politikave tona, kjo për shkak të pozicionimit të politikave në të kaluarën të VMRO-DPMNE-së dhe Aleancës para së gjithash. Nga këtu do të nxirrni përfundim se pse mendoj se do të marrim mbështetje edhe më të madhe në të ardhmen, LSDM-ja dhe koalicioni me BDI-në, Besën dhe partitë e tjera më të vogla”, tha Zoran Zaev – Kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Zaev edhe sot ripërsëriti se dëshiron bashkëpunim me të gjithë në Kuvend por nuk është edhe i gatshëm për një qeveri zë zgjeruar, ku do të përfshihej edhe opozita, për përballje me pandeminë. Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, pohon se nuk mund të jenë të barabartë në Kuvend, kur njëjtë nuk janë para qeverisë, e këtu është fjala edhe për masat ekonomike.

“Për shembull, votues të Aleancës për Shqiptarët, Alternativës, VMRO-DPMNE-së sigurisht, nuk janë të barabartë gjatë konkurseve që shpallen. Qytetarët që votuan kundër qeverisë, nuk janë të barabartë as kur duhet të marrin ndonjë ndihmë sociale si masë nga ato që propozohen nga qeveria, andaj nëse duhet të jemi të barabartë para Kuvendit, duhet që edhe qytetarët tanë të jenë të barabartë. Ne jemi të gatshëm të marrin përgjegjësi”, u shpreh Ziadin Sela – Kryetar i ASH-së.

Idenë për Qeveri të ashtuquajtur për shpëtim nacional e ka mbështetur edhe VMRO-DPMNE-ja.
Javën që lamë pas, partitë opozitare paralajmëruan bashkëpunimin e tyre në zgjedhjet e ardhshme lokale. Kjo nuk përjashton mundësinë që bashkëpunimet të vazhdojnë edhe më tej.