A ka ambicie për t’u bërë kryetar i ASH-së? Ja çfarë deklaronte Arben Taravari

Ziadin Sela sot njoftoi dorëheqjen e tij nga posti i kryetarit të Aleancës për Shqiptarët si pasojë e rezultati të dobët në zgjedhjet për këshill në komunën e Tetovës, shkruan TV21. Sela tha se organet e partisë do të vendosin për ushtruesin e detyrës së këtij funksioni apo edhe për kryetarin e ardhshëm të partisë. Para rreth një muaji, në edicionin verorë “Click 21” në TV21, Arben Taravari nga kjo parti ishte i bindur se ASH-ja do të fitojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare me Ziadin Selën në krye, ndërsa u përgjigj edhe në pyetjen nëse do të pranonte drejtimin e partisë.

“Qeveria e ardhshme, kurdoqoftë që do të mbahen zgjedhjet, do të jetë pa prezencën e BDI-së dhe natyrisht partia shqiptare që do ta zëvendësojë ose që do ta bëjë ndryshimin te shqiptarët është Aleanca për Shqiptarët. Me zotëri Selën apo pa zotëri Selën në krye? As që diskutohet, as që diskutohet, z.Sela është lider i Aleancës për Shqiptarët, nuk diskutohet kjo punë”, deklaroi Taravari.

Taravari në Click 21 deklaronte se asnjëherë nuk ka pasur ambicie për të marrë drejtimin e partisë dhe se pas përfundimit të mandatit të Selës, të njëjtën duhet ta drejtojnë kuadro të reja.

Gazetari: Edhe në katër vitet e ardhshme, pastaj nuk do të mund të rikandidohet?
“Po këtë e ka mandat të dytë edhe më tutje unë besoj dhe mendoj se nuk ka të drejtë të kandidojë, së paku kështu është statuti, duke e njohur Ziadinin nuk besoj që do ta ndryshojë edhe mund të bëj diçka që të vazhdojë përsëri, as sa e njoh, nuk besoj që e bën”, deklaroi Taravari.

Gazetari: Të gjitha pritshmëritë janë që ju do të jenë pasardhës i tij në krye të Aleancës…
“Nuk e besoj, nuk e besoj. Kemi kuadër shumë të mirë, njerëz të rinj, të cilët meritojnë dhe munden ta vazhdojnë punën e Aleancës për Shqiptarët, natyrisht neve mbetemi themelues”, thoshte Taravari.

Gazetari: A po thoni se nuk doni të jeni në krye të Aleancës për Shqiptarët?
“Asnjëherë nuk kam pasur ambicie të atillë edhe pse me Ziadinin para se të mbahet ky kongres e kemi biseduar për ta bërë zëvendësimin eventual dhe me një moment kemi vendosur që ai duhet të vazhdojë”, pohonte Taravari.

Gazetari: Pse?
“Unë mendoj se gabuam që ky debat shkoi edhe te anëtarësia dhe kjo na krijoi një farë dëmi edhe pse unë dhe Ziadini nuk kemi pasur asnjëherë mosmarrëveshje edhe pse kemi pasur debat, por me këtë e dëshmuar se jemi parti demokratike ku mund të bisedohet edhe për ndërrimin e liderit”, deklaroi Taravari.

Taravari në emisionin “Click 21” gjithashtu bëri të ditur se gradualisht do të tërhiqet nga posti i kryetarit të komunës së Gostivarit dhe se së shpejti partia do të prezantojë kandidatin e ri për drejtimin e kësaj komune. A ishte ky një paralajmërim se ai do të angazhohet më tepër në profesionin e tij si mjek apo do në drejtimin e partisë, mbetet të shihet ditëve në vijim./tv21.tv