A janë gati Zaev e Kasami për të koalicionuar? Asnjëri nuk i hedh poshtë mundësitë për bashkëpunim (VIDEO)

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa shpallën koalicionin mes tyre. Me këtë Lëvizja Besa mbeti jashtë ndërsa mbrëmë kryetari i saj Bilall Kasami gjithë procesin e përpjekjeve për krijimin e koalicionit trepalësh i quajti lojëra dhe taktizime të dy partive të cilat sipas Kasamit paraprakisht ishin marrë vesh për koalicion.

Por a është e hapur rruga Lëvizjes Besa që tani e tutje të shoh për koalicione të tjera. Kasami mbrëmë tha se partia e tij ka humbur shumë kohë duke u marrë me bashkëpunimet mundshme. Megjithatë nuk hedh poshtë asnjë koalicionim të mundshëm, përfshirë edhe me LSDM-në, për të cilin u pyet…

“Kur do të vijë koha nëse do të ketë oferta dinjitoze, sigurisht që ky kuvend që jemi mbledhur sot do ta diskutojë dhe do të vendosë në mënyrë meritore”, tha dje Bilall Kasami.

I hapur për të gjithë është edhe kreu i LSDM-së Zoran Zaev, ndonëse ai për momentin është në pushtet e Besa në opozitë.

Edhe pse nga Besa deri më tani e kanë mohuar që të kenë folur me parti të tjera, Zaev me shaka la të kuptohet se të gjithë kryetarët flasin me njëri-tjetrin.

“Mbrëmë nuk jam dëgjuar me Lëvizjen Besa… por mund të jem dëgjuar pardje, para ca ditësh, dëgjohem me të gjitha partitë politike, të gjithë flasin me njëri-tjetrin…”, deklaroi fillimisht Zaev.

TV21: Keni pasur takim me Bilall Kasamin?

“Të gjithë flasin me njëri-tjetrin, e tregoj këtë se edhe ne flasim, edhe Mickoski, edhe Ahmeti, Ziadini, Bilalli, Afrimi, Menduhi, të gjithë…” shtoi Zaev

TV21: Konkretisht për Lëvizjen Besa?

“Nuk mund të them asgjë sepse mendoj se mund të bëjmë koalicion me të gjithë por këtë duhet të na e thonë qytetarët nëse e vlerësojnë, nëse është mirë, nëse përputhen programet dhe nëse mundim të merremi vesh për programe të njëjta. Para nesh kemi periudhë bisedimesh. Besoj se do ta bëjmë më të mirën e mundshme”, u pwrgjigj ish kryeministri.

Zaev shtoi se nëse ai e ka shansin të mendojë për koalicion me të gjithë, për Mickoskin tha se këtë gjë s’mund ta bëjë e kjo për shkak të nacionalizmit.

E kreu i opozitës VMRO-DPMNE Hristijan Mickoski pohon se flet edhe me parti shqiptare.

Gazetari: Me parti të bllokut shqiptar?

Mickoski: kemi folur edhe me ta, po…”

Gazetari: Në ç’drejtim janë bisedimet?

Mickoski: Ende nuk ka rezultat. Kur të ketë opinioni do të njoftohet…”

Deri më tani përveç koalicioneve tradicionale që i ka LSDM-ja dhe DPMNE-ja, në bllokun maqedonas nuk është shpallur ndonjë koalicion parazgjedhor. Tek blloku shqiptar ASH dhe Alternativa tashmë kanë dhënë parapëlqimet e tyre për bashkëpunim. BDI dhe PDSH-ja janë deklaruar në zgjedhje do të dalin të vetme. Listat zgjedhore për zgjedhjet e 12 prillit parashihet që të dorëzohen deri në datë 17 mars.