A është problem për Maqedoninë e Veriut rënia e qeverisë bullgare?

Stabiliteti politik relativ në Bullgari zgjati vetëm 6 muaj. Të mërkurën e 22 qershorit, një mocion mosbesimi i dha fund qeverisë së drejtuar nga Kiril Petkov, kreut i lëvizjes centriste dhe reformuese “Të vazhdojmë ndryshimin”. Qeveria e tij u krijua në dhjetorin e vitit të kaluar me synimin e shpallur modernizimin e vendit, luftën kundër korrupsionit dhe rinisjen e reformës në sistemin gjyqësor. Por kabineti ishte e kufizuar në veprimtarinë e tij nga nevoja për kompromise të vazhdueshme midis forcave politike që përbënin shumicën parlamentare shumë të larmishme.

Tani i takon presidentit të vendit Rumen Radev, që t’u besojë udhëheqësve politikë misionin e kërkimit dhe gjetjes së një formule qeverisjeje në parlamentin aktual. Por është një përpjekje që duket e destinuar të ketë pak sukses. Perspektiva më e mundshme, është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në muajin shtator. Ajo çka e bën situatën edhe më konfuze dhe të paparashikueshme, janë tensionet e forta të brendshme lidhur me lojën komplekse të vetos bullgare kundër rrugëtimit të Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian.

Veto, të cilën presidenca franceze e BE u përpoq ta zhbllokonte me një propozim të ditëve të fundit, që pavarësisht krizës qeveritare, u miratua nga parlamenti bullgar, por fati përfundimtar i të cilës është ende larg nga të qenit i qartë.

Që ruajtja e unitetit të mazhorancës qeveritare aktuale do të ishte shumë e vështirë, kjo ishte e qartë që në fillim, mbi të gjitha për kryeministrin e ri Petkov. Së bashku me partinë “Të vazhdojmë ndryshimin”, një risi absolute në politikën bullgare dhe partia e parë në zgjedhjet e parakohshme të nëntorit, të tretat radhazi gjatë vitit 2021, kishte parti që ishin të detyruara të bashkëpunonin me të të diktuar nga rrethanat

Por ato nuk kishin shumë objektiva të përbashkët, përveç dhënies fund të dominimit politik 10-vjeçar të ish-kryeministrit të qendrës së djathtë Bojko Borisov. Së bashku me partinë e “Rinisë së Harvardit” (Petkov dhe Asen Vasilev, zëvendëskryeministër dhe bashkëthemelues i lëvizjes, kanë studiuar në universitetin prestigjioz amerikan), pjesë e shumicës së re ishin edhe socialistët dhe liberalët e “Bullgarisë Demokratike”.

Por edhe lëvizja populiste “Ka një popull si ky” nga shousdmeni dhe këngëtari i njohur dhe kontrovers bullgar Slavi Trifonov. Tensione të dukshme u shfaqën brenda qeverisë që pas fillimit të sulmit rus ndaj Ukrainës në fund të shkurtit.

Petkov, që ka qenë që nga fillimi i krizës në një linje të qartë pro-ukrainase, në një vend ku simpatitë ndaj Rusisë mbeten të forta në segmente të mëdha të popullsisë, u përplas ashpër me Ministrin e tij të Mbrojtjes, Stefan Yanev, për deklaratat e këtij të fundit pro Moskës, derisa i kërkoi dhe e detyroi të jepte dorëheqjen.

Çështja e ndihmës ushtarake ndaj Kievit, e ka vendosur vazhdimisht qeverinë në tension. Partia Socialiste kërcënonte me një krizë qeveritare nëse dërgohen armë në Ukrainë. Ndërkohë partia “Bullgaria Demokratike” parashikon fundin e koalicionit në rast se nuk mbështetet Ukraina.

Në fund, ishte Slavi Trifonov ai që i “hoqi prizën” qeverisë Petkov, me një lëvizje befasuese teatrale. Kreu i “Ka një popull si ky”, i cili iu bashkua koalicionit qeverisës si aleat i vogël, pasi kishte kohë që ushqente ëndrrën për ta udhëhequr personalisht vendin, deklaroi 2 javë më parë se donte të largohej nga koalicioni qeverisës.

Sipas vetë Trifonov, kjo për 2 arsye. Së pari për menaxhimin “jo shumë transparent” të buxhetit dhe i fondeve evropiane, që po e çon Bullgarinë “në prag të falimentimit”. Së dyti për shkak të synimit të Petkov për heqjen e vetos bullgare për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, gjë që Trifonov e kundërshton fuqishëm.

“Mjaft, më mirë t’i jepet fund kësaj agonie!”- deklaroi Trifono, duke sjellë kështu edhe rrëzimin e qeverisë. Në realitet, kjo kthesë e papritur rrezikon të shpërbëje edhe partinë e vetë Trifonov. Në fakt, disa deputetë janë rebeluar, duke deklaruar se me këtë qasje partia po rreshtohej në anën e ish-kryeministrit Borisov, të cilin ajo ishte betuar ta luftonte pa pushim.

Petkov u përpoq që ta shfrytëzonte këtë përçarje, dhe e testoi terrenin me deputetët rebelë për të siguruar votat që mund ta mbanin në këmbë qeverinë e tij. Por në fund operacioni dështoi, dhe mocioni i mosbesimit pati sukses. Teorikisht, një shumicë e re mund të dalë edhe nga parlamenti aktual.

Por shenjat janë se do ketë konsultime të reja pas zgjedhjeve të reja në vjeshtë. Çdo parashikim për drejtimin që mund të marrë vendi, është aktualisht tepër i vështirë:në fazat e saj më të trazuara, politika bullgare na ka mësuar me kthesat e saj të befta, dhe me lindjen e vazhdueshme të “partive kometa”, që dalin në skena nga askundi, që janë të afta të fitojnë zgjedhjet, dhe që pastaj zhduken gradualisht nga skena.

Lodhja e elektoratit bullgar, do të ndikojë edhe këtë herë. Vendi përballet me zgjedhjet e katërta të parakohshme nga viti i kaluar, me një dozë në rritje zhgënjimi ndaj mundësisë së ndryshimeve thelbësore dhe rënies së përqindjes së pjesëmarrjes, dhe me rrezikun që pakënaqësia kronike ndaj politikës të arrijë ende rekorde të reja.

Ndërkohë, fati i rrugëtimit të Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, mbetet në duart e parlamentit bullgar. Sofja e bllokon rrugën evropiane të Shkupit për shkak të problemeve të pazgjidhura historike dhe kulturore, pavarësisht një traktati të fqinjësisë së mirë të nënshkruar në vitin 2017, që i la që të gjithë të pakënaqur, sidomos Sofjen.

Përpjekjet për të dalë nga ngërçi kanë rezultuar të pafrytshme. Presidenca franceze bëri një përpjekje të minutës së fundit në Këshillin Evropian të 23-24 qershor, me një propozim që plotëson shumicën e kërkesave bullgare, para së gjithash përfshirjen e komunitetit bullgar në mesin e atyre që njihen me kushtetutë në Maqedoninë e Veriut. Por nga ana e saj, qeveria maqedonase ka përsëritur disa herë se ky propozim është i papranueshëm. Prandaj edhe një “po” e përvuajtur e Bullgarisë ndaj këtij propozimi, mund të rezultojë sërish në një ngërç të gjatë.
Nga Francesco Martino “Linkiesta’