A duhet të bëj dua pas leximit të Kur’anit në gjuhën shqipe? Flet hoxhë Omer Bajrami

Hoxhë Omer Bajrami
Pyetje: Selam alejkum. Jam nje moter qe kam filluar te lexoj Kuranin ne gjuhen shqipe. Jam ne perfundim te Kuranit. Disa me thone se kur te perfundoj duhet te shkoj te me kendoj hoxha dua, e disa me thone jo duhet vete. Sdi cfar te bej, ju lutem me keshilloni se cfar me duhet te bej kur te perfundoj leximin e Kuranit ne shqip?
Përgjigje: Alejkumselam. Kur’ani i përkthyer në gjuhën shqipe nuk është Kur’an dhe nuk e ka vlerën dhe shpërblimin e tij, porse është përkthim dhe komentim i disa fjalëve të tij. Ndërsa Kur’ani i vërtetë, origjinal dhe i plotë është ai në gjuhën arabe.

Edhepse leximi i tij në gjuhën shqipe është i dobishëm për të përfituar nga mësimet dhe këshillat që gjenden në të, por shpërblimi i tij nuk arrin në shpërblimin e leximit në gjuhën arabe.
Andaj, secili musliman duhet ta shfrytëzojë kohën e tij, dhe mos t’ia lejojë vetes asnjëherë që të jetë prej pjesëtarëve të Islamit, e të mos dijë leximin e fjalës së Allahut.
Kështuqë pas përfundimit të leximit të Kur’anit në gjuhën shqipe, bëre nijetin që sinqerisht të mësosh leximin e tij në gjuhën arabe dhe fillo menjëherë pa humbur kohë.

Ndërsa për dua nuk ka nevojë të shkosh te hoxha e as te dikush tjetër, por nëse dëshiron mund të bësh dua vetë, duke e lutur Allahun që Ai të pranojë ibadetin tënd dhe të të lehtësojë mësimleximin e Kur’anit ashtu siç ka zbritur prej Allahut (azzevexhel).
Allahu e di më së miri.
Hoxhë Omer Bajrami