A do t’ia heq Ukraina vizat Kosovës?


Ky titull nuk ka të bëjë me ndonjë raport bilateral Kosovë-Ukrainë, që ua lehtëson qarkullimin qytetarëve të dy vendeve. Por, duket se adresa aktuale për heqjen e vizave për Kosovën është më shumë në Kyiv se në Bruksel. Udhëtimi 10 orësh me tren i tre motorëve të BE’së Gjermanisë (Olaf Scholz), Francës ( Emanuel Macron), dhe Italisë (Mario Dragi), mund të jetë vendimtar pasi vetë presidenti francez pohoi se udhëtimi drejt Ukrainës, pos solidaritetit dhe mbështetjes për vendin e e zhytur në luftë, kishte qëllim për të krijuar unanimitetin për kandidaturën e përshpejtuar për anëtarësim në BE.

Por, evropianët që po ndjehen në faj për atë që i ndodhi ukrainasve do të detyrohen t’i japin diçka edhe atyre që i kanë në oborr – ballkanasve. Këtë Sholz ia kujtoi “kamaradit” të tij francez gjatë qëndrimit në shtetin ku po bën luftë Rusia. Kur liderët e 27 vendeve anëtare të ulën në Bruksel javën tjetër për t’u marrë me Ukrainën, për të cilën Komisioni Evropian rekomandoi status të përshpejtuar kandidati për anëtarësim në BE, hija e Ballkanit do t’u rrijë mbi krye.

Burrështetasit e këtij klubi, nëse e aprovojnë këtë dhuratë për Ukrainën që erdhi më shumë si rezultat i situatës ku gjendet Ukraina pas agresionit brutal të Rusisë, do të duhet të “shkundin” xhepat edhe për vendet e Ballkanit Shqipërinë, Maqedoninë t’ia akordojnë fillimin e negociatave për anëtarësim dhe Kosovës diçka më bazike – heqjen e vizave për udhëtim të lirë në Zonëm Schengen.

Shteti më i padisponuar që kosovarët të mund të udhëtojnë pa një krah dokumente, Franca, dhe lideri i saj Emannuel Macron, duket se është zbutur. Tre ditë më parë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës u publikua një deklaratë ku thuhej se kjo çështje do të diskutohet m ë 23 dhe 24 qershor në Samitin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, kohë kjo kur në Bruksel do të mblidhet edhe Këshilli Evropian, institucioni që jep dritën jeshile për procesin e liberalizimit.

Por, asgjë si duket nuk ka përfunduar. Macron tha se qëllimi i vizitës në Ukrainë i tri ekonomive më të mëdha evropiane ishte krijimi i unanimitetit në lidhje me kandidaturën e Ukrainës për anëtarësim në BE. E kolegu i tij, Olaf Sholz tha se do të bëjë fushatë për një qëndrim të unifikuar të BE’së.

“Zonja dhe zotërinj, kolegët e mi dhe unë erdhëm në Kiev sot me një mesazh të qartë: Ukraina i përket familjes evropiane. Një moment historik në rrugën e tyre evropiane, plot me parakushte, është statusi i një vendi kandidat. Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do ta diskutojnë këtë në ditët në vijim. Ne e dimë se ka nevojë për unanimitet midis 27 vendeve të BE-së. Në Këshillin Evropian, unë do të bëj fushatë për një qëndrim të unifikuar. Gjermania është për një vendim pozitiv në favor të Ukrainës’ tha Sholz.

Sapo përfundoi këto fjalë Sholz u kujtua për premtimet që BE i kishte bërë për vendet e Ballkanit Perëndimor. E premtimet ndaj Ballkanit përfshijnë edhe çështjen e vizave për Kosovën.
“Është çështje e kredibilitetit evropian që përfundimisht t’i përmbushim premtimet tona ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, që me vite janë në këtë rrugë; tani dhe konkretisht” ka thënë Sholz në Kiyiv.

Nuk dihet çfarë do të ndodhë javën e ardhshme në Bruksel kur liderët e BE’së t’i marrin në duar dosjet e këtyre temave.BE deri më tani i ka mbajtur peng kosovarët për të cilët edhe Komisioni Europian ka thënë se i kanë përmbushur të gjitha kriteret, derisa Parlamenti evropian disa herë ka votuar Rezoluta që rekomandon heqjen e vizave.

Liderët kosovarë, sikur të ishin bestytë, nuk kanë ‘guxuar” shumë të merren me këtë çështje këto ditë. Njeriu i ngarkuar për të gjetur një zgjidhje në mes të Kosovës e Serbisë, Miroslav Lajcak,të premten, në Ohër tha se nuk guxon të japë datë por se ‘liberalizimi po vjen”.
Por, për ironi, i pari që dha lajmin se Kosovës do t’i hiqen vizat ishte politikani tjetër, që nuk i dëshiron shumë të mira Kosovës, Aleksandar Vuçiq, i cili përmendi 23 qershorin. “Jam duke pritur që Brukseli do t’i shpërblejë ata” tha ai.