A do të shkojë Gruevski në burgun e Idrizovës, sot pritet vendimi


Gjykata e Apelit sot do të sjellë vendimin për dënimin me burg për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski. Sot është dita e fundit kur kjo gjykatë duhet të vendos lidhur me ankesën e ish-kryeministrit për rastin “Tanku” që hetohej nga Prokuroria Speciale për furnizimin e parregullt të MPB me një makinë ekstra luksoze Mercedes Benz, që kishte një vlerë prej 600 mijë eurove.

Për këtë rast, Gruevski akuzohet si nxitës për kryerjen e veprës dhe se ndaj tij është shqiptuar dënimi prej 2 viteve burg, ndërsa i akuzuar me 6 vjet e 6 muaj burg është edhe ish-ndihmës ministri i brendshëm, Gjoko Popovski për zbatimin e veprës së paligjshme, informon INA.

Lidhur me këtë rast po gjykohet edhe ish-ministrja e brendshme Gordana Jankullovska, por procesi ndaj saj është shtyer dhe po zhvillohet ndaras, për shkak të lindjes së saj dhe shkaqeve shëndetësore.

Lidhur me pritjen e vendimit të sotëm, para gjykatës ka një numër të mediave, por edhe prani e shtuar policore. Ish-kryeministri Gruevski dhe avokatët e tij pritet që të mos marrin pjesë në seancën ku pritet epilogu i saj./Pacensure