A do të mbijetojë Tik-Toku pas sul*meve të Donald Trump?

Ndryshimet në TikTok dhe Arm janë shenja që tregojnë një të ardhme të vështirë

Më 6 gusht, kur Shtëpia e Bardhë i tha TikTok se kishte 45 ditë kohë për t’u mbyllur ose për të gjetur një blerës amerikan, ekzistonte rreziku që aplikacioni i videove me pronësi kineze, të zhdukej nga Amerika, duke zemëruar 100 milionë përdoruesit e tij në SHBA dhe duke shkaktuar me miliarda dollarë humbje nga pasuria e investitorëve, shkruan The Economist.

Tani duket se është gjetur një rreng i minutës së fundit. TikTok ka thënë se do të hyjë në një partneritet kompleks me Oracle, një gjigant i teknologjisë amerikane, me synimin për të treguar se është më tepër nën ndikimin amerikan. Pak ditë më parë, kompania amerikane Nvidia, ofroi 40 miliardë dollarë për Arm Holdings, një firmë me bazë britanike për krijimin e çipave, duke shkaktuar një stuhi në Britani në përpjekjen për të ndaluar që kampioni i saj teknologjik të tërhiqej në luf*te tregtare të Amerikës.

Këto dy evente aspak të rastësishme, janë sinjalet e para që tregojnë se si epoka e re e nacionalizmit do të ndryshojë mënyrën e drejtimit të firmave shumëkombëshe – për keq.

Të dyja kompanitë i kapërcejnë ndarjet gjeopolitike dhe janë në zemër të ekonomisë dixhitale. TikTok zotërohet nga ByteDance, një kompani teknologjike kineze. Shtëpia e Bardhë thotë se ka frikë se të dhënat e përdoruesve po dërgohen në Kinë, ku Big Brother mund t’i spiunojë, dhe se algoritmi që zgjedh videot është i cenueshëm nga manipulimi kinez.

Dizajnet e Arm përdoren në të gjithë botën, sidomos në Amerikë dhe Kinë, dy tregjet e saj më të mëdha. Qeveria e Britanisë shqetësohet se një blerje e tillë do të çojë në zhvendosjen e veprimtarisë kryesore jashtë vendit (në vitin 2016 Arm u ble nga SoftBank, një kompani japoneze, e cila premtoi ta mbante bazën e firmës në Britani deri në vitin 2021). Një shqetësim tjetër është se nën pronësinë amerikane, Arm nuk do të jetë më një furnizues “neutral”, por do të kthehet në një instrument të regjimit të sanksioneve të qeverisë amerikane.