A do të kthehet Messi në Barcelonë? – Ja çfarë thotë zyrtari i lartë i klubit

Kohëve të fundit kanë nisur të rriten zërat që flasin për një rikthim të mundshëm të Lionel Messit në Barcelonë. E për këtë çështje është pyetur zëvendës-presidenti ekonomik i gjigantit katalunas, Romeu. Yllit argjentinas do t’i skadojë kontrata me Paris Saint-Germainin në fund të këtij sezoni dhe klubi që do ta transferojë atë nuk do t’i duhet të paguajë dëmshpërblim.

“Pasi do të jetë lojtar i lirë, ne natyrisht se mund të bëjmë diçka. Mirëpo, do të jetë një vendim teknik”, ka thënë ai.
“E kemi bërë një diferencim pagash, kemi bërë ndryshime në këtë drejtim”, shtoi Romeu, duke aluduar në uljen e pagave të lojtarëve. Mbetet të shihet nëse 35 vjeçari do të pranojë të rikthehet në “Camp Nou” me një pagë më të vogël, pra nëse do të jetë në gjendje të bëjë sakrifica, duke e pasur parasysh se sa shumë paguhet në Paris.

Shtatë herë fituesi i Topit të Artë ishte larguar nga “Blaugrana” vitin e kaluar pasi kishte fituar gjithçka të mundshme me gjigantin spanjoll. Nëse nuk e vazhdon kontratën me PSG-në, për Leon do të jenë dy mundësi: rikthimi në Barcelonë ose transferimi në një klub të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.