A do të ketë zgjedhje të reja për këshillin e Qytetit të Shkupit?!

Partitë më të mëdha politike nuk mendojnë se duhen zgjedhje të reja për këshillin e Qytetit të Shkupit, pas përplasjeve mes VMRO-së e Danella Arsovskës. Nga partia e Miskovskit thonë se në organet partiake nuk diskutohet kjo çështje. Thonë se edhepse nuk janë të kënaqur me punën e deritanishme të Arsovskës, në Këshill do të vazhdojnë të mbështesin vetëm ato projekte që janë në të mirën e qytetarëve.

“Gjithçka që është e mirë do të vazhdojmë ta mbështesim edhe në të ardhmen. Se kemi këndvështrime të ndryshme, kemi. Ndonjëherë rrugët mund të na ndajnë, por mendoj se projektet duhet të vazhdojnë të zhvillohen”, deklaroi Vllado Misajllovski, Nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.

Nga LSDM vlerësojnë se në këto momente krize nuk është koha për organizim të zgjedhjeve të reja në këshill. Thonë se do të vazhdojnë të funksionojnë si opozitë ndërsa theksojnë se për ngjarjet në Qytetin e Shkupit përgjegjësia bie mbi VMRO-në.

“Vendimi i Qytetarëve më zgjedhjet lokale të vitit 2021 ishte që LSDM në Shkup të jetë opozitë. Lidhja socialdemokrate e Maqedonisë këtë vendim të qytetarëve e ka respektuar dhe kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Mbesim që në korniza të këshillit të Qytetit të Shkupit, të veprojmë si opozitë, duke i mbrojtur interesat e qytetarëve”, thonë nga LSDM.

Përplasjet mes VMRO-së e Arsovskës filluan filluan pasi kjo e fundit shkarkoi drejtorin e “Ujësjellësit dhe Kanalizimit” dhe sekretarin e përgjithshëm të Qytetit. Pas këtij vendimi të Arsovskës, kuadrot e VMRO-DPMNE-së dhanë dorëheqje nga postet udhëheqëse nëpër ndërmarrjet publike që janë nën kompetenca të Qytetit të Shkupit, me arsyetimin se gjatë kryerjes së detyrave të tyre ka munguar koordinimi me kryetaren Arsovska./Alsat/