A do të ketë para për pensione dhe rroga? Ja çfarë thotë ministrja Trençevska


Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, u thotë qytetarëve të jenë të qetë, sepse, siç thekson, do të ketë para për pagesën e pensioneve dhe pagave, duke theksuar se mjetet për pagesë të pensioneve, pagave dhe shtesave për mbrojtjen sociale dhe të fëmijëve janë të parapara në buxhet.

“Pensionistët morën pensionet e shtatorit, u rritën me 6,8% dhe sipas metodologjisë së re, pensionet do të rregullohen dy herë në vit, në shtator dhe mars. Qëllimi i një zgjidhjeje të tillë është krijimi i sistemit për rritjen e përhershme të pensioneve. Në shifra, një pensionist me pension mesatar prej 16.376 denarë në gusht ka marrë 17.490 denarë në muajin shtator, krahasuar me qershorin e vitit 2017, që është rreth 3.500-4.000 denarë më shumë në llogarinë e secilit pensionist”, tha Trençevska në paraqitjen televizive “24”, ku foli për disa tema që janë në kompetencë të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës.

Metodologjia e re, shton ajo, parashikon rregullimin e pensioneve, sipas lëvizjes së indeksit të kostos së jetesës në masën 50% dhe rritjes së pagës mesatare të paguar për të gjithë punonjësit në shtet në masën 50%, sipas të dhënave zyrtare të Entit Shtetëror për Statistikë. Trençevska informoi se tashmë është diskutuar me shoqatat e pensionistëve për rritjen e pensionit minimal, për të cilin do të hapet dialogu social dhe do të krijohet zgjidhja më e qëndrueshme.