A do të kemi zgjedhje të parakohshme?! Ja çfarë thonë liderët e partive (VIDEO)

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pret që gjatë 2022-tës vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nuk dëshiron që të kalkulojë me periudhën se kur, por u shpreh i sigurt se VMRO-DPMNE ashtu siç korri fitore të mëdha në zgjedhjet lokale, ashtu do të jetë edhe në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“Frika në Qeveri është që VMRO-DPMNE do të korrë fitore të madhe në zgjedhje dhe frika tek partnerët e koalicionit është që nuk do të ketë kush ta shantazhojë VMRO-DPMNE-në sepse do të udhëheq me politika që luftojnë krimin dhe korrupsionin. Politika që do të bazohen në reforma në shoqëri, politika të progresit, ekonomi të fuqishme dhe reforma në ekonomi dhe Maqedonia nuk do të cenohet për interesat të ndryshme për të cilat jemi dëshmitarë”, tha Hristijan Mickoski, kryetar I VMRO-DPMNE-së.

Nga LSDM vlerësojnë se vendit nuk i duhen zgjedhje.
“Qëndrimi ynë për zgjedhje të parakohshme mbetet i pandryshuar. Tani është koha për përgjegjësi, kemi shumicë të qëndrueshme në Kuvend. Në fillim të javës së ardhshme kemi edhe zgjedhje të Qeverisë së re stabile e udhëhequr nga LSDM, me mandat deri në 2024”, thonë nga LSDM.
Edhe nga partneri i koalicionit BDI theksojnë se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje sepse është në rrugën drejt BE-së dhe kjo nuk guxon të rrezikohet, ndërsa shtojnë se edhe po të ketë zgjedhje ata përsëri do të jenë fitimtarë.

-Koha është për zgjidhje, jo për zgjedhje. Jemi në finalen e bisedimeve me Sofjen për të zhbllokuar rrugën tonë evropiane si dhe para nënshkrimit të kontratës për ndërtimin e korridorit 8, në mes të krizës energjetike dhe shëndetësore, prandaj këto kërkesa janë joreale dhe joserioze, bëhen nga mungesa e ideve dhe me shprese qe asnjëherë mos te ndodhin sepse ato parti do te përjetojnë dështim edhe me të madh në ato zgjedhje sipas te gjitha sondazheve”, deklarojnë nga BDI.

Edhe opozita shqiptare vazhdimisht kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nga Aleanca për Shqiptarët kanë deklaruar se me patjetër duhen zgjedhje sepse Qeveria nuk ka legjitimitet, ndërsa janë të sigurt që do të sjellin ndryshimin tek blloku shqiptar. Nga Lëvizja Besa pohojnë se opozita shqiptare do të jetë e ardhmja politike dhe se BDI do të pësojë tronditje tektonike.