A do të jetë Franca ndërmjetësuese në zgjidhjen e kontestit Shkup-Sofje!?

Franca do të përpiqet të zgjidhë mosmarrëveshjen midis Shkupit dhe Sofjes sa më shpejtë të jetë e mundur, por nuk do të jetë një ndërmjetësues në gjetjen e një zgjidhje midis dy palëve. Kështu deklaroi ambasadori francez në vendin tonë, Syril Bomgartner, gjatë fjalimit të tij në shpalosjen e prioriteteve të presidencës franceze të BE-së. Ambasadori francez u shpreh i bindur se çështja e ndërmjetësimit nuk është në tavolinë, pasi siç tha, në kushtet aktuale nuk ka nevojë për ndërhyrje të palëve të treta, por të dyja vendet duhet të bien dakord për një zgjidhje të përbashkët. Megjithatë, ai vlerëson se vizita e kryeministrit të sapozgjedhur bullgar, Kiril Petkov në Shkup, e cila do të jetë vizita e parë zyrtare pas marrjes së detyrës, është sinjali i mirë se gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur.

Syril Bomgartner, ambasadori francez në Republikën e Maqedonisë së Veriut
“Atë që e thashë dje në Kuvend do ta përsëris edhe sot, nuk ka një datë specifike për konferencën e parë ndërqeveritare në kuadër të presidencës franceze. Sigurisht që ka vullnet nga të gjitha vendet anëtare dhe ne duam të bëjmë gjithçka që është e mundur për të hapur sa më shpejt negociatat me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërinë”.

Lidhur me kërkesat e Shqipërisë për ndarjen e të dy vendeve në rrugën drejt Bashkimit Evropian, ambasadori francez tha se qëndrimi është i qartë, dhe konkluzioni i vendeve anëtare është se në kushtet aktuale nuk rekomandohet ndarja. Ndërsa shtoi se vendi ynë i përmbushë të gjitha kushtet teknike për anëtarësimin në BE.

Syril Bomgartner, ambasadori francez në Republikën e Maqedonisë së Veriut
“Presidenca franceze shprehet qartë se vendi i Maqedonisë së Veriut është në BE. Sot vendi i plotëson të gjitha kërkesat teknike dhe ligjore për të qenë pjesë e Bashkimit Europian. Gjithçka që do të ndihmojë në rishqyrtimin e qëndrimeve dhe hapjen e negociatave, nëse është e mundur gjatë presidencës franceze, ne do ta bëjmë të gjithë këtë”

Ai gjatë prezantimit të prioriteteve të Presidencës franceze në kryesimin me BE-në, adresoi tre qëllime kryesore, rinovimin, fuqinë dhe përkatësinë, ku theksoi rëndësinë e forcimit të kufijve të Evropës dhe reformimit të zonës Shengen për të parandaluar një krizë refugjatësh dhe shëndetësore. Fokusi i presidencës franceze do të jetë në rimëkëmbjen ekonomike të Evropës, sfidat klimatike dhe vendosjen e barazisë sociale që do të krijojë vende të reja të punës. Ambasadori francez gjithashtu njoftoi se presidenti i francës Emmanuel Makron, do të mbajë një konferencë për shtyp në qershor për të diskutuar perspektivat evropiane të Ballkanit Perëndimor.