Erdogan: Kush luan me ne, do kërkojë vrimë për t’u fshehur

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan kritikoi sot vendet evropiane, të cilat nuk lejuan tubimet e Partisë AK, ndërsa në të njëjtën kohë lejuan sipas tij terroristët të mbajnë tubime nëpër sheshet evropiane. Erdogan tha se Bosnjë e Hercegovina i dha leksion Evropës.

Erdogan iu drejtua masës së qytetarëve në sheshin e qytetit lindor turk të Erzurumit, dhe me këtë rast komentoi zhvillimet aktuale.

“Vendet që lejojnë terroristët e PKK, YPG, PYD, HDP të mbajnë tubime nëpër sheshet evropiane dhe nuk lejojnë Partinë AK, mbyllin sallat. Doni apo nuk doni, Bosnjë e Hercegovina ju dha një leksion të mirë. Aktualisht jemi në Erzurum, kjo ju mjafton”, ka thënë Erdogan.

Erdogan foli edhe për luftën e Turqisë kundër terrorizmit, duke potencuar se askush nuk guxon të luajë me Turqinë, se në të kundërtën, sikur terroristët edhe ata duhet të kërkojnë një vrimë për t’u strehuar.

“Tashmë dihet se çfarë u bëmë organizatave terroriste. Askush të mos luaj me ne. Ata që tentojnë të luajnë me ne, sikur dhe terroristët e PKK, PYD, DEASH, FETO. Të gjithë do të detyrohen të kërkojnë një vrimë për t’u fshehur”, theksoi presidenti turk.

Gjithashtu presidenti turk, i bëri thirrje shtetasve turq që të konvertojnë kursimet e tyre dollarë apo euro në lira, duke kërkuar të forcojë monedhën që është në vështirësi, e cila ka humbur 20 për qind të vlerës së saj ndaj monedhës amerikane.

“Vëllezërit e mi që kanë dollarë ose euro nën “jastëkun” e tyre. Shkoni dhe i konvertoni paratë tuaja në lira”, tha Erdogan në një tubim në qytetin lindor të Erzurumit përpara zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të 24 qershorit.